Gazetar: Adnan Qaili
Me zemër të thyer po e shikon veturën e djemve të tij duke e larguar nga gërmadhat. Për fat të mirë dy djemtë që po udhëtonin me veturë e cila u godit nga lokomotiva teknike përfunduan vetëm me lëndime. Ky banor i fshatit Rramanli të Kumanovës thotë se raste tragjike ndodhin shpesh në fshat.
“Pas një ore veç kur dëgjova fishkëllimat dhe goditjen. Mua më dogji menjëherë se diçka ndodhi. Kur dola e pash ishin djemtë e mi. Ata nuk mund të dilnin, por kjo nuk është hera parë. Djali vëllait këtu e ka dhanë jetën e shumë të tjerë që s’mund ti numëroj”, u shpreh një banor i Fshatiti Rramanli.
Dy vëllezërit njëri prej të cilëve i ardhur për pushime nga mërgimi, u goditën para dyerve të shtëpisë po mbahen në trajtim spitalor. Banorët thonë se vetë i kanë nxjerr nga vetura dhe i kanë dërguar në spital. Ata thonë se tri kryqëzime të rrugëve të fshatit me hekurudhën famëkeqe po u merr jetën çdo vit nga një banori.
“Në familjen time kanë ndodhur 4-5 raste. Para 3 vjet djalin tim njësoj e ka gjuajtur atje, djalin e vëllait tre vjeçar e ka shtypur e ku ka më keq se kështu. Disa fqinjëve dy persona u kanë shkelur te rruga tjetër”, tha një banor.
“Po bëjmë peticion për të vënë një rampë, kërkesë të cilën e kemi bërë për shumë vite. Për kërkesën kryetari tha se jemi duke pritur përgjigje, por nuk ka 6 muaj që dha jetë njëri, vagonët janë rrëzuar”, deklaroi një tjetër banor.
Në vendngjarje dolën shërbimet e hekurudhës, të cilët u qortuan nga banorët për mosmirëmbajtje dhe mungesë të sinjalistikës adekuate.
“Ne vetë e kemi pastruar atje me buldozer, kemi kositur përreth hekurudhës, kemi krasitur lisat dhe pastrojmë për tu dukur më larg treni, kemi prerë edhe këta drunj edhe pse nuk është detyrë e jona”, tha një banor i fshatit Rramanli.
Bashkësia lokale për nesër paralajmëron protesta duke bllokuar rrugën e fshatit dhe hekurudhën që bartë mallra e udhëtarë, linjë e cila lidh Beogradin me Shkupin e Selanikun. Thonë se shpesh kanë kërkuar vendosjen e traut pasi pozita gjeografike e fshatit pengon dukjen e trenit.
“Organeve kompetente u kemi kërkuar vite me radhë ta rregullojnë këtë dhe të vendojnë sinjalizimin e rregullt dhe rampa, të cilat e mbrojnë dhe sigurojnë kalimin e trenit ende nuk kemi përgjigje. Tani është aktiv edhe peticioni me disa pika ku kërkojmë sërish nevojat tona të plotësohen, patjetër të vihet rampë”, deklaroi Taxhedin Esadi, Kryetar i B.L. Rramanli.
Por nga Ndërmarrja Publike “Infrastruktura e Hekurudhave” shfajësohen duke hedhur fajin tek vozitësit, të cilët sipas tyre e injorojnë sinjalistikën dhe si pasoj vjen deri tek aksidenti. Në dy vitet e fundit në mbarë vendin janë regjistruar mbi 45 aksidente hekurudhore 6 prej të cilave me pasoja fatale./Alsat.mk