Rrëfehet njeriu që e shkroi tekstin e Pavarësisë së Kosovës

Ndihet me fat që ishte përzgjedhur si artisti që do t`a kaligrafonte tekstin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në pergamenë. E ky rast, sipas artistit Shyqri Nimani, i jepet njeriut vetëm një herë në jetë.

Në një intervistë, për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar për ndjenjat dhe emocionet që përjetoi gjatë bukurshkrimit të deklaratës. “E ndjeja se Dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur. Por, unë isha tërësisht i koncentruar në obligimin tim që brenda 16 orëve të kryeja një detyrë aq me përgjegjësi”, thotë Nimani për gazetën “Bota sot”.

“Viti 2008 është njëri nga vitet më dinamike, më kreative dhe më të rëndësishme në jetën time dhe në karrierën time artistike. Me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe, siç zakonisht thuhet, historike, është shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008. Them, se deshi fati që unë të jem artisti që do ta kaligrafojë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në pergamenë, rast ky që njeriut i jepet vetëm një herë në jetë. Kisha ndjenja të jashtëzakonshme të gërshetuara me një përgjegjësi gjithashtu të jashtëzakonshme. Por, rrjedhat morën kahje tjetër nga ajo që unë kisha paramenduar për bukurshkrimin e Deklaratës. Vetëm një javë para shpalljes së pavarësisë, më njoftuan nga Qeveria, se unë do ta bukurshkruaja me dorë këtë deklaratë. Unë mendoja, ç’është e vërteta, se teksti do të ishte në një faqe A/4 dhe do të më duheshin më së paku 5 ose 6 ditë për ta shkruar ashtu siç dëshiroja. Por ndodhi krejt ndryshe. Kur arrita në godinën e Qeverisë së Kosovës (në mbrëmjen e 16 shkurtit 2008) ma dhanë tekstin e deklaratës, i cili, për befasinë time shumë të madhe, ishte në 3 faqe të plota A/4! Vërejta se teksti kishte mjaft gabime drejtshkrimore, të cilat i korrektuam. Sipas kërkesës së Kryeministrit, unë i solla nga studioja ime veglat, ngjyrat dhe 2 pergamenet (lëkurë viçi, nga 80 x 50 cm) të sjellur nga Muzeu i Londrës. Ndërkaq, shefi i protokollit, z. Abedin Qupeva, më pyeti se a mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës së bashku me mua bashkautorë e kaligrafimit të Deklaratës. Unë i thashë se kjo gjë nuk kishte rëndësi në këtë çast, kur unë isha aq i ngarkuar nga frika, se a do të mund ta kryeja këtë detyrë për një kohë shumë të shkurtër – prej vetëm rreth 16 orëve. Abedini më tha se, meqë sonte është vonë, kontratën e autorësisë mund ta bëjmë javën tjetër”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme