
Ajo ka folur në “Interaktiv” të KTV-së, duke thënë se ka qenë dita më e tmerrshme që ka përjetuar deri sot, transmeton Koha.net.
Mehmeti ka parë njërin nga sulmuesit, që sipas saj kanë qenë brenda McDonald’s ku kanë qenë duke u ushqyer dhe njëri prej tyre ka dalë me armë në hapësirën e qendrës dhe ka filluar të shtien.
“Rreth orës 18:00 ishin tre sulmues terroristë në atë qendër. Unë isha në qendër tregtare e ata ishin në McDonalds, e njëri doli dhe filloi të shtënë nga drejt njerëzve. E kam parë njerin nga sulmuesit”, rrëfen Mehmeti, e cila më pas është mbyllur në zyrën e kompanisë që punon, bashkë me një djalë tjetër nga Kosova që punon në qendër.
“Kemi qëndruar aty për rreth një orë dhe më pas kam folur me kompaninë time, e cila ka thënë të dal jashtë. Sa e hapa derën me dalë, ishin 10 policë specialë që na kontrolluan e më pas na evakuuan. Ishte tmerr i vërtetë, të gjithë qanin, ishte grua nga Gostivari që qante për vajzën e vet që punon brenda qendrës”, ka shtuar Mehmeti, që potencoi se kjo qendër është shumë e frekuentuar.



