Ne. Flet gjithmonë në numrin shumës: Të guxojmë, të besojmë, të shfrytëzojmë rastet. Xhani De Biazi nuk e sheh dot veten të ndarë nga Shqipëria. Një pjesë të zemrës dhe të mendjes e ka këtu. Me të drejtë, ajo që bëri nën drejtimin e Kombëtares ishte diçka e paharrueshme si për atë në aspektin profesional, ashtu edhe për shqiptarët.
Trajneri italian, i cili siguroi për herë të parë kualifikimin në Europian. Ai e di mirë se si nga një skuadër, edhe pse me limite të shumta, të marrë maksimumin. Teksa tifozët kuqezinj janë në kërkim të argumenteve dhe pikave që i bëjnë të besojnë për një rezultat pozitiv në “Uembli”, 68-vjeçari na ndihmon për këtë. Ai e di mirë se çfarë do të thotë të ndalësh apo të mundësh ekipet e mëdha. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” thotë se kuqezinjtë nuk duhet të parkojnë autobusin ndaj Anglisë, teksa zbulon disa prej historive dhe ndodhive në atë skuadër.
Trajneri italian thotë gjithashtu se ka ardhur koha që Armando Broja të gjejë stabilitetin dhe të ndihmojë Kombëtaren për arritjen e rezultateve pozitive. Duket se e ka zili Silvinjon që stërvit një ekip me shumë teknikë dhe me djem që aktivizohen në kampionate të rëndësishëm të Europës, megjithatë ai nuk ka ndërmend që të zëvendësojë asnjë me djemtë e tij që arritën të bënin realitet të parët ëndrrën e madhe të Europianit. Xhani flet për Spanjën, Francën, dhe mbi të gjitha për sfidën heroike në Portugali.
Mister përshëndetje. Çfarë po bëni këto kohë?
Jam duke pushuar gjatë kësaj kohe. Kisha nevojë për këtë pas 3 vitesh e gjysmë në Azerbajxhan. Por sigurisht që një sy e mbaj nga futbolli italian dhe nga ai ndërkombëtar. Ndjek gjithçka që ndodh, nuk mund të bëj pa futboll.
A e dini që ju jeni i vetmi trajner nga Kombëtarja, që keni fituar një ndeshje me një nga 10 vendet e para të FIFA-s?
Po, e di. Sigurisht që nuk është e lehtë të fitosh ndaj tyre. Ne e bëmë me Portugalinë. Jo, në fakt, Portugalia nuk ishte në “Top 10” në atë kohë.
Po ju ndihmoj, ishte miqësorja me Francën…
(Qesh). Mendova se e kishit për ndeshjen me Portugalinë, ku fituam 0-1 në Aveiro. Po e kujtoj edhe këtë ndeshje. Ergys Kaçe ka shënuar një supergol nga goditja e dënimit. Realizoi një perlë në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”. Kemi bërë një ndeshje të madhe dhe të shkëlqyer. Jam i lumtur për atë që kemi bërë në atë kohë dhe për djemtë. Nuk ishte pak të mundje atë Francë.
Tani flasim për Portugalinë. Si ia dolët ta bënit atë mrekulli?
Nuk ishte aspak e lehtë ndaj një skuadre me lojtarë që luanin në kampionate kryesorë. Ne kërkuam që të gabonim sa më pak. Nuk duhet t’i linim të niseshin në kundërsulm. Ne u fokusuam shumë te Koentrao, që në atë kohë luante me Realin e Madridit. Aty vendosa Roshin sepse e dija që mund ta vinte në vështirësi në disa aspekte dhe disa momente, që do t’i krijoheshin gjatë ndeshjes. E shfrytëzuam mirë në fillimin e pjesës së dytë dhe Balaj shënoi një gol të jashtëzakonshëm.
Rikthehemi pak tek Anglia. Si duhet ta luajë Shqipëria këtë sfidë? Të jemi agresivë në presing apo të parkojmë autobusin përpara zonës?
Unë mendoj se të gjitha ndeshjet duhet të luhen, edhe kjo ndaj Anglisë. Autobusin t’ia lëmë ndonjë tjetri… Në ditët e sotme është e rëndësishme që të kesh dominimin e lojës në rast se mund të bëhet. Shqipëria ka shumë lojtarë të fortë teknikisht në mesfushë dhe nuk duhet që të luajmë me topa të gjatë, apo të hedhim topin kot. Duhet t’i detyrojmë ata që të vrapojnë pa top. Duhet të luajmë përpara mendoj dhe të krijojmë vështirësi në ¾-t e fushës së tyre.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL