Vajza, aktualisht 25 vjeçe, ka rrëfyer në Polici se i ati e ka përdhunuar për herë të parë që kur ishte 9 vjeçe. Ajo ka treguar se ai e ka kërcënuar dhe ka ushtruar dhunë të vazhdueshme dhe nuk e ka lejuar që t’i tregojë askujt.
Ngjarja bëhet edhe më dramatike, pasi e dëmtuara ka rrëfyer se i ati e ka lënë shtatzënë dhe ajo është detyruar të abortojë.
Prej disa ditësh, 25- vjeçarja J. Nakuçi ishte larguar nga shtëpia e saj, që ndodhet në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë dhe ishte strehuar te murgeshat, në një Kishë Ortodokse.
Ajo shkonte shpesh aty, për shkak se ishte shumë besimtare, por pavarësisht se i ati kishte abuzuar seksualisht me të për vite me radhë, nuk ishte rrëfyer asnjëherë për atë që i ndodhte. Por për shkak të dhunës së vazhdueshme të ditëve të fundit nga i ati, ajo kishte vendosur të largohej nga shtëpia.
Prindërit e saj ishin divorcuar që prej vitit 2002 dhe ajo jetonte me të atin e motrën 1 vit më të vogël.
Vëllai i saj 22-vjeçar jetonte disa metra më tej, në të njëjtën lagje me të, me të ëmën. Por prej pak ditësh motra e të dëmtuarës ishte martuar me një shtetas të huaj dhe 25-vjeçarja ishte detyruar që të jetonte vetëm me babanë monstër, që vijonte abuzimin seksual me të.
Denoncimi
Duke qenë se ishte miqësuar me murgeshat, por edhe për shkak të dhunës e abuzimit të vazhdueshëm nga i ati, 25-vjeçarja më në fund vendosi të rrëfehej. Ajo u tregoi atyre historinë e tmerrshme, që i kishte ndodhur që kur ishte 9 vjeçe.
Murgeshat e kanë bindur që të drejtohej në Polici dhe e kanë shoqëruar në Komisariatin nr.2 për të bërë kallëzim. Burime nga Policia thanë se vajza ka treguar se abuzimi seksual nga i ati kishte nisur një mbrëmje kur ai ishte kthyer i dehur në shtëpi. Ajo ishte vetëm 9 vjeç dhe i ati e kishte përdhunuar.
Më pas, e njëjta histori kishte vazhduar nën presione, dhunë e kërcënime, sa herë që ai ndodhej vetëm me të bijën në shtëpi. Vajza ka treguar se në moshën 19- vjeçare zbuloi se kishte mbetur shtatzënë nga i ati dhe e kishte abortuar fëmijën.



