Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm.
Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit.
Më shqetësuese është përbërja e azilantëve sipas grupmoshave, teksa dukshëm janë moshat e reja ato që duan të ikin nga vendi me çfarëdolloj mënyre.
Të dhënat tregojnë se gati 58 për qind e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7 për qind e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42 për qind e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër.
Në total, 72 për qind e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç.
Nuk po ikin vetëm të rinjtë. Grupi i dytë më i madh i azilantëve i përkiste grupmoshës 30-49 vjeç, me 27 për qind të totalit, që në një pjesë të konsiderueshme janë familje, që ikin bashkë me fëmijët. Vetëm 1.5 për qind e azilantëve ishte mbi 50 vjeç.
Në dominancë janë meshkujt ata që ikin, me 84 për qind të totalit.
Shqiptarët ishin kombësia më e madhe, që ka aplikuar për azil në Britaninë e Madhe në vitin 2022, duke zënë 18 për qind të totalit nga e gjithë bota.
30 mijë aplikime për azil në Evropë në 2022
Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Evropian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16 për qind.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Evropë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.
Rekordi i aplikimeve vijon të mbetet viti 2015, me rreth 69 mijë shtetas që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa 2022-i është viti i tretë më i lartë, pas fluksit të 2015-2016. Ndërsa vetëm në Mbretërinë e bashkuar aplikimet janë në një rekord historik të të gjitha kohërave.