Rreth 60 zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre brenda këtij viti. Nga Sindikata e Policisë thonë se arsye për këtë ka qenë dëshpërimi me Ligjin e Pagave, mos sigurimi shëndetësor dhe jetësor.
Për shkak të pakënaqësive, disa zyrtarë të Policisë së Kosovës protestuan e disa vendosën që të largohen krejtësisht nga ky institucion.
Nga janari e deri në nëntor të këtij viti, dhjetëra pjesëtarë të këtij institucioni të sigurisë kanë dhënë dorëheqje.
“Deri më tani kemi deri diku rreth 60 dorëheqje vullnetare dhe me paralajmërime që nëse nuk lëvizet diçka në këtë drejtim mund të ketë edhe dorëheqje të tjera”, ka thënë Imer Zeqiri – kryetar i Sindikatës së Policisë.
E, në mesin e arsyeve që çuan deri te këto dorëheqje, kryeson dëshpërimi me Ligjin e Pagave.