Shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, i ka ftuar analistët dhe politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës, të mos nxisin tema që prodhojnë përçarje në popull.
Duke komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe debatin që nxiti kjo vizitë, Mehmeti ka bërë me dije që secili duhet të jetë i kujdesshëm ndaj fjalës publike sepse, sipas tij, ajo godet dhe lëndon.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, debatin që e përcolli vizitën e kryeministrit shqiptar, ai e ka quajtur zhurmë mediatike, e cila tregon sa mosbesues dhe sa paragjykues janë shqiptarët ndaj njëri-tjetrit. “Do të doja të jemi më të kujdesshëm ndaj fjalës publike, sepse ajo godet dhe lëndon. Mua shumë pak më intereson se çfarë do të mendojnë për atë që them disa burrështetas injorantë të Kosovës, apo mendjemëdhenjtë e vetëpëlqyer të Tiranës, por kujdesem që me asgjë të mos kontribuoj në përçarjen e popullit tim, ngaqë e di se edhe disa idiotëve tanë politikë u shkon për shtati të jemi të ndarë në ‘veriun’ dhe ‘jugun’ shqiptar”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka bërë me dije se zhurma e krijuar tregon edhe për stereotipat që shqiptarët kanë krijuar për njëri-tjetrin. “Kjo zhurmë tregon edhe për stereotipat krahinore, fetare e dialektore që i kemi krijuar për njëri-tjetrin, gjë që shpeshherë na bënë të ndjehemi më të afërt me ‘kinezët’ sesa me shqiptarët e përtej maleve. Ne shqiptarët e Maqedonisë më dhembshëm i ndjejmë këto ndasi brenda shqiptare”, është shprehur ai.
Me tej, Mehmeti ka treguar edhe se kush po i prodhon këto debate. “Shoqëritë shqiptare janë të varfra andaj prodhojnë të vetmin ‘mall’ për të cilin kanë ‘lëndë të parë’ në sasi të mëdha – grindjet! Pastaj, nëse shihni nën sipërfaqen e këtij debati, do të vëreni se atij i prijnë po ata që i shtjellojnë të gjitha ‘rreziqet’ që i kanosen shqiptarisë, duke filluar nga ndasitë fetare e deri tek pengesat për ta shprehur orientimin seksual. Me çfarë ke përshtypjen se paguhen vetëm për të prodhuar grindje mes shqiptarëve dhe vetë sa për ta shpalosur sasinë e ‘prapambeturisë’ sonë”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se ai ndihet mirë kur Edi Rama përfaqëson shqiptarët, pavarësisht cilin vend e viziton ai. “Shumëçka tregon se Edi Rama politikën e ka kuptuar si spektakël televiziv, ku ai është kryepersonazh dhe gjithë ne të tjerët jemi dublantë të pavlefshëm në spektaklin e tij. Pastaj, vlerësuar nëpërmjet përurimeve të ‘Kurban’-it dhe ekspozitave me pikturat e tij, e që e shoqërojnë thuajse kudo që ai shkon si kryeministër, mund të nxirret përfundimi se kemi të bëjmë me artist të vonuar që e keqpërdor pozitën e kryeministrit për ta afirmuar shkrimtarin dhe piktorin në vetvete. Por, edhe pse e di se shqiptarët e paguajnë për të qenë kryeministër, e jo për ta promovuar vetveten si shkrimtar dhe piktor, ndjehem mirë kur më përfaqëson Edi Rama, kudo qoftë nëpër botë. Në mos më shumë, për shkak se ai nuk më çon të skuqem, siç më ndodh me injorantët e Maqedonisë, kur i shoh si u lëpihen të huajve dhe si aftësinë e të folurit e kanë të lidhur me xhepin e pasmë të pantallonave, e jo me trurin. Edhe vizita e fundit e Ramës në Beograd për mua kryesisht ka domethënien e burrështetasit shqiptar që u mbanë ligjërata zyrtarëve serbë”, ka thënë Kim Mehmeti, duke shtuar se burrështetasit shqiptarë duhet të nxiten të mendojnë dhe të veprojnë “shqip” që, sa herë u jepet rasti, të kontribuojnë në të mirën e gjithë shqiptarisë.
“Epoka e re”: Z. Mehmeti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sapo ka përfunduar një vizitë tjetër në Serbi. Si do ta komentonit atë?
Mehmeti: Shumëçka tregon se Edi Rama politikën e ka kuptuar si spektakël televiziv, ku ai është kryepersonazh dhe gjithë ne të tjerët jemi dublantë të pavlefshëm në spektaklin e tij. Pastaj, vlerësuar nëpërmjet përurimeve të “Kurban”-it dhe ekspozitave me pikturat e tij, e që e shoqërojnë thuajse kudo që ai shkon si kryeministër, mund të nxirret përfundimi se kemi të bëjmë me artist të vonuar që e keqpërdor pozitën e kryeministrit për ta afirmuar shkrimtarin dhe piktorin në vetvete. Por, edhe pse e di se shqiptarët e paguajnë për të qenë kryeministër, e jo për ta promovuar vetveten si shkrimtar dhe piktor, ndjehem mirë kur më përfaqëson Edi Rama, kudo qoftë nëpër botë. Në mos më shumë, për shkak se ai nuk më çon të skuqem, siç më ndodh me injorantët e Maqedonisë, kur i shoh si u lëpihen të huajve dhe si aftësinë e të folurit e kanë të lidhur me xhepin e pasmë të pantallonave, e jo me trurin. Edhe vizita e fundit e Ramës në Beograd, për mua kryesisht ka domethënien e burrështetasit shqiptar që u mban ligjërata zyrtarëve serbë. Dhe më pëlqejnë orvatjet e Ramës që të jetë i pëlqyer nga të gjithë shqiptarët, si dhe të mos ndjehet inferior përpara asnjë burrështetasi të huaj, për dallim nga zyrtarët kosovarë, të cilët ‘japin shpirt’ që të jenë të pëlqyerit e serbëve dhe perëndimorëve, por të cilëve thuajse as që u bëhet vonë se ç’mendojmë për ta ne shqiptarët. Shkurt e shqip, Rama ka një milion të meta, por ai është nga politikanët tanë të paktë për të cilët nuk vlen thënia që i karakterizon shumicën e burrështetasve të tjerë që, për dallim nga qentë, u lëpihen të huajve dhe i lehin e i kafshojnë të vetët!
“Epoka e re”: Gjatë kësaj vizite Rama ka përmendur Kosovën dhe disa çështje të brendshme të Kosovës, të cilat tentohen të pengohen nga Serbia. Kjo ka nxitur një reagim në Kosovë dhe është interpretuar si përpjekje e Ramës për të folur në emër të Kosovës. A është e lejueshme kjo për një kryeministër shqiptar?
Mehmeti: Më e vjetër se Shqipëria e Kosova, është shqiptaria! E shqiptarinë edhe kur nuk kanë ekzistuar “Shqipëritë” tona të sotme, e ka mbajtur gjallë dhe e ka ushqyer patriotizmi i gjithë shqiptarëve, kudo që ata kanë jetuar e vepruar. Dhe pa atë patriotizëm mbarëshqiptar nuk do të lindin as Shqipëria e Kosova. Andaj, duhet theksuar: Shqipëria e Kosova janë pjellë e ëndrrës mbarëshqiptare për një komb, një gjuhë dhe një shtet! Kështu që Shqipëria e Kosova janë pronë e gjithë shqiptarisë dhe jo vetëm e atyre që banojnë në këto shtete dhe, si të tilla, për mirëqenien e tyre duhet të kujdesemi të gjithë njësoj. Më në fund, ne edhe mund t’i nënshtrohemi fatit dhe të jetojmë në më shumë “Shqipëri”, por duke e ditur se kudo ku gjallëron ëndrra shqiptare (e cila nuk ka asgjë të ngjashme me ëndrrën serbomadhe për lidhshmërinë e varreve dhe gjakut me tokën, por për atë që e ëndërrojnë të gjallët që i ushqen dheu shqiptar) është Shqipëri. Shkurt thënë: burrështetasit tanë duhet të nxiten të mendojnë dhe të veprojnë “shqip” që, sa herë që u jepet rasti, të kontribuojnë në të mirën e gjithë shqiptarisë dhe në të mirë e cilësdo “Shqipërie” tonë. Andaj, Edi Rama jo vetëm se duhet të flasë edhe në emër të Kosovës, por do të ishte e turpshme që në Beograd të mos e përmendte Kosovën, siç do të ishte e turpshme që aty ku i jepet rasti, të mos flasë për hallet e gjithë shqiptarisë.
“Epoka e re”: Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimi me Serbinë për autostradën Nish – Prishtinë – Tiranë, pa e përfshirë Kosovën. Pastaj, marrëveshja në parim rreth teksteve për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndonëse Serbia dhe Kosova kanë një marrëveshje për këtë çështje të arritur në Bruksel, janë interpretuar në Prishtinë si anashkalim i shtetit të Kosovës nga Edi Rama. Kanë qenë pretendime të drejta këto?
Mehmeti: Mendoj se problemi nuk qëndron te protokollet që Shqipëria e Kosova i nënshkruajnë me të tjerët, por te moskoordinimi i veprimeve diplomatike në mes të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe te mospasja e projekteve të përbashkëta mbarëshqiptare. Apo, thënë edhe më qartë, te mendësia e copëzuar politike e diplomatike shqiptare. Ja, u bënë kaq vite që kemi dy “Shqipëri”, por në botën shqiptare thuajse çdo gjë është e ndarë dhe e copëzuar, përpos nëntokës politike dhe mafies. Kështu që ke përshtypjen se me shumëçka Shqipëria e Kosova janë më të afërta me Brukselin sesa me njëra-tjetrën, që është jonormale. Pra, ke përshtypjen se neve shqiptarëve na lidh mes vete vetëm tallave muzika dhe kombëtarja, dhe asgjë tjetër.
“Epoka e re”: A humbet Kosova diçka nga ky shtim i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Shqipërisë?
Mehmeti: As Kosova, as cilido shqiptar, nuk humbet gjë nga marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë e Serbisë, por humbet shumë nga zyrtarët e Prishtinës që bëjnë diplomaci si dikur Mbreti Zog dhe Enver Hoxha: duke dhuruar tokat dhe duke i shkelur interesat shqiptare, vetëm për të mbetur në pushtet. Shpresoj se ne e kemi tejkaluar kohën kur burrështetasit shqiptarë, edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, i ndërtonin mbi parimin e mitëdhënës duke mos dhënë asgjë nga xhepi i tyre, por duke dhënë ryshfet pasurinë dhe pronën kombëtare.
“Epoka e re”: Kryeministri shqiptar, po ashtu, foli për paqen në mes të shqiptarëve dhe serbëve ashtu si gjermanët dhe francezët pas Luftës së Dytë Botërore. Për kushtet e kësaj paqeje duhet të flasin përfaqësuesit e Kosovës apo ata të Shqipërisë, meqenëse lufta është zhvilluar në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve?
Mehemti: Është e çuditshme se si neve shqiptarëve nuk na pengon kur vjen ndonjë i huaj që të na ndihmojë të arrijmë marrëveshje me fqinjët tanë, por jemi dyshues ndaj cilitdo shqiptari që në emër të të gjithë neve, tenton të arrijë paqe me serbët?! Pastaj, kur flitet për luftën në Kosovë, me të vërtetë nga ajo më së shumti kanë vuajtur kosovarët por, sipas të gjitha parametrave, ajo ishte luftë kundër shqiptarëve dhe luftë në të cilën morën pjesë shqiptarët e kudondodhur. Pastaj antishqiptarizmi shekullor serb nuk kishte të bëjë vetëm me shqiptarët e Kosovës, por me tërësinë shqiptare. Për shembull, ne shqiptarët e Maqedonisë nuk jetonim në Kosovë, por me shumëçka paguam çmim të lartë në llogari të luftës serbe kundër shqiptarëve. Në Kosovë, për shembull, kurrë nuk u ndaluan emrat personalë me rrënjë shqiptare, por në ‘filialin’ më të dëgjuar politik të Beogradit – në Maqedoni, dekada me radhë ne nuk guxonim fëmijët tanë t’i quanim Ilir apo Dardan. Pse ua rikujtoj këtë; që të dëshmoj sa perverse është të thuash se shqiptaria e ka pasur të ndarë fatkeqësinë dhe urrejtjen e të tjerëve!? Jo, kalendari ynë, me ditët festive dhe atë të zisë në të, është i përbashkët dhe është antikombëtare ta marrësh peshoren e të masësh se kush ka më shumë pronësi mbi vuajtjet dhe gëzimet mbarëshiptare!
“Epoka e re”: Shumë analistë në Prishtinë dhe Tiranë qëndrimet e Edi Ramës i vendosen në kontekstin e diskursit për kombin, identitetin, historinë dhe bashkimin. Mund të sjellë ndonjë pasojë një debat i tillë?
Mehmeti: Do të doja të jemi më të kujdesshëm ndaj fjalës publike, sepse ajo godet dhe lëndon. Mua shumë pak më intereson se çfarë do të mendojnë për atë që them disa burrështetas injorantë të Kosovës, apo mendjemëdhenjtë e vetëpëlqyer të Tiranës, por kujdesem që me asgjë të mos kontribuoj në përçarjen e popullit tim, ngaqë e di se edhe disa idiotëve tanë politikë u shkon për shtati të jemi të ndarë në “veriun” dhe “jugun” shqiptar. Gjithashtu, mua shumë pak më intereson sa do të jem i pëlqyer nga disa qarqe mediatike, e që prodhojnë grindje brendashqiptare, por mundohem të mos bëhem pjesë e zhurmaxhinjve të cilëve, posa u shteret zëri nga britmat për rreziqet ndërfetare, gjejnë temë tjetër të përshtatshme, që ta vazhdojnë misionin e tyre përçarës të popullit tonë.
Edhe kjo zhurma mediatike lidhur me vizitën e fundit të Ramës në Beograd, tregon sa mosbesues jemi mes vete dhe sa paragjykues jemi ndaj njëri-tjetrit. Pastaj, kjo zhurmë tregon edhe për stereotipat krahinore, fetare e dialektore që i kemi krijuar për njëri-tjetrin, gjë që shpeshherë na bënë të ndjehemi më të afërt me ‘kinezët’ sesa me shqiptarët e përtej maleve. Ne shqiptarët e Maqedonisë më dhembshëm i ndjejmë këto ndasi brendashqiptare dhe këta stereotipa të ndërtuara për njëri-tjetrin dhe neve thuajse nuk na habit më as perversiteti i disa medieve tiranase e prishtinase, të cilat shpeshherë, nga të gjithë shkrimtarët, shkencëtarët e intelektualët që kemi, neve shqiptarëve të Maqedonisë na përfaqësojnë nëpërmjet politikanëve injorantë, apo nëpërmjet ndonjë hoxhe të fshatit, që shpjegon sa lezet dhe sa ‘myslimançe’ është të kesh më shumë gra?!
“Epoka e re”: Një debat i tillë në mes të analistëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka filluar prej kur përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur garat zyrtare. Mos ka filluar një përçarje në mes të Shqipërisë e Kosovës?
Mehmeti: Shoqëritë shqiptare janë të varfra dhe ato prodhojnë të vetmin ‘mall’ për të cilin kanë ‘lëndë të parë’ në sasi të mëdha grindjet! Pastaj, nëse shihni nën sipërfaqen e këtij debati, do të vëreni se atij i prijnë po ata që i shtjellojnë të gjitha ‘rreziqet’ që i kanosen shqiptarisë, duke filluar nga ndasitë fetare e deri tek pengesat për ta shprehur orientimin seksual. Me çka ke përshtypjen se paguhen vetëm për të prodhuar grindje mes shqiptarëve dhe vetë sa për ta shpalosur sasinë e ‘prapambeturisë’ sonë. Jo tani, por shumë vite më parë, e kam thënë se shqiptaria do ta paguajë çmim të lartë shkaku i Tiranës arrogante dhe Prishtinën mendjemadhe, të cilat i bashkon vetëm ‘nëntoka politike’ dhe kanabis tregtia. Dhe duhet thënë shkurt e qartë; është e errët e ardhmja e një popull që ka shtete ku nuk dihet se vallë krimi i kontrollon institucionet e shtetit, apo institucionet shtetërore e kontrollojnë krimin. Në fund, grindjet dhe përçarjet janë dukuri ‘normale’ në shoqëritë ku më lehtë gjen vrasës me pagesë sesa psikiatër që të shëron nga mendjemadhësia. Edhe zhurma e tanishme mediatike mes analistëve tanë të ‘pavarur’, kryesisht ka të bëjë me frustracionin e atyre që nuk mund ta çelin gojën kundër ‘padronëve’ të vet partiakë, por që janë të gatshëm atë ta mbrojnë nga cilido princ i principatës tjetër shqiptare! Kështu që ne jemi një hap pranë rrezikut që të bëhemi aq ‘mendjehapur e perëndimorë’, sa të mos jetë e turpshme kur e përçan popullit tënd, por kur mundohesh atë ta bashkosh./Epoka e Re