Shteti nuk është organizatë ilegale. As strukturë paralele. Ushtria nuk është Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH), e as Shërbim Informativ i Kosovës (SHIK).
Sikur shteti dhe Ushtria të ishin organizata të tilla, sigurisht që Hashim Thaçi e Kadri Veseli do ta bënin ushtrinë qysh moti. Brenda natës mbase.
Por, Ushtria si kategori kushtetuese nuk mund të themelohet pse këta dy krerë shteti kanë dëshirë të tregohen edhe më tej patriotë dhe të marrin “vendime historike” në përvjetorin e vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Kosova ka një forcë sigurie me mandat të kufizuar të cilën e ka formuar falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj evropian. As këtë forcë nuk do ta kishte, po mos të mbështetej nga Perëndimi. Madje as TMK-në e paarmatosur nuk do të mund ta themelonte në vitin 1999.
Rrjedhimisht, nuk mund ta formojë as Ushtrinë pa mbështetjen e Perëndimit.
Është fakt i ditur se ndryshimi i mandatit të FSK-së nuk mund të bëhet pa votën e deputetëve të Listës Serbe, e cila u formua falë bisedimeve të udhëhequra nga Thaçi në Bruksel me palën serbe.
Është fakt, po ashtu i ditur se Serbia si partnere në themelimin ose jo të Ushtrisë së Kosovës, nuk do të pranojë ta japë votën pro, pa fituar ndonjë favor tjetër në Kosovë. Ky favor mund të jetë më shumë se Bashkësia e Komunave Serbe. Mbase Autonomi.
Kosovës pos që i duhet mbështetja e NATO-s dhe Perëndimit për themelimin e Ushtrisë, i duhet edhe vota pro e Listës Serbe që drejtohet nga Beogradi.
Anashkalimi i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Ushtrisë, do ta bënte Kosovën me një ushtri thuajse ilegale – pa mandat të përcaktuar me Kushtetutë.
Themelimi i Ushtrisë me Ligj, mbetet vetëm një show bajat mediatik i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli, të cilët u përpoqën të marrin mbi supe meritat e bërjes së shtetit me ushtri.
Kjo përpjekje për marrje meritash, u është faturuar si dështim politik.
Shuplaka që morën nga Amerika dhe NATO, nuk është këshill për Thaçin, por vendim. Ky vendim nuk është i ankimueshëm. Si i tillë, hyn në fuqi menjëherë.
Çdo orvatje tjetër për ta zbuluar formula ankimuese, do ta penalizojë Thaçin edhe më shumë si president, e Kosovën si shtet – që ekzistencën e vetë e ka të murosur mbi themelet e hedhura nga Perëndimi.
Krejt ky show i shoqëruar me klipe se kinse Kosova po bëhet me Ushtri, mbanë nënshkrimin e dështuar të presidentit Thaçi.