Gjykata Kushtetuese ka publikuar ditën e sotme arsyetimin e vendimit të dhënë më datë 30 Qershor në lidhje me pranimin pjesërisht të kërkesës së partisë Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare, lidhur me financimin e partive politike, ku u shfuqizua pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor mbi ndarjen e mandateve sipas herësit.
Në arsyetimin e vendimit duket se Kushtetuesja nuk e ka shfuqizuar tërësisht herësin, por ka konsideruar si antikushtetues masën e tij pasi nuk përmbush parimin e proporcionalitetit.
Gjykata thotë se në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës.
Në këtë mënyrë kandidatit nuk do t’i duhen 10 mijë vota për të thyer herësin por do të vendoset një prag i ri.
Çfarë parashikon neni 163/3 që u rrëzua nga Kushtetuesja:
Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
Argumentimi i Gjykatës Kushtetuese për proporcionalitetin dhe rrëzimin e nenit 3:
Kriteri tjetër për kufizimin e të drejtave themelore, bazuar në nenin 17 të Kushtetutës, është përpjesëtimi i drejtë midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e dikton atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave, e në asnjë rast, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjykata çmon të shqyrtojë, nën dritën e kriterit të proporcionalitetit, masën e herësit, të parashikuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit: “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”.
Gjykata në mënyrë të vazhdueshme ka mbajtur qëndrimin se parimi i proporcionalitetit nënkupton që ndërhyrja e ligjvënësit për kufizimin e një të drejte ose lirie të caktuar të bëhet me mjete të përshtatshme që i përgjigjen drejt qëllimit që synohet të arrihet. Përveç kësaj, përdorimi i këtyre mjeteve duhet të jetë i domosdoshëm, çka do të thotë se synimi nuk mund të arrihet me mjete të tjera. Domosdoshmëria lidhet edhe me përdorimin e mjeteve më pak të dëmshme për subjektet që iu cenohen të drejtat dhe liritë. Kushti i përpjesëtimit të kufizimit me gjendjen që e ka diktuar konkretizohet në kërkesën e domosdoshmërisë, të dobishmërisë dhe të proporcionalitetit. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se respektimi i përmbushjes së kushteve të mësipërme të kufizimit kërkon një trajtim të diferencuar, në varësi të të drejtave dhe lirive individuale që i nënshtrohen kufizimit (shih vendimet nr. 1, datë 16.01.2017; nr. 2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese).
Në jurisprudencën e saj, Gjykata kur ka çmuar ndërhyrjen në të drejtat themelore, ka marrë parasysh kriteret në vijim: (i) nëse objektivi i ligjvënësit është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar kufizimin e së drejtës; (ii) nëse masat e marra janë të lidhura në mënyrë të arsyeshme me objektivin, ato nuk mund të jenë arbitrare, të padrejta ose të bazuara mbi vlerësime alogjike; (iii) nëse mjetet e përdorura nuk janë më të ashpra se sa duhen për të arritur objektivin e kërkuar, sa më të mëdha efektet e dëmshme të masës së përzgjedhur, aq më tepër duhet të jetë i rëndësishëm objektivi për t’u arritur, në mënyrë që masa të justifikohet si e nevojshme. Gjykata ka theksuar se proporcionaliteti i një kufizimi vlerësohet rast pas rasti, duke pasur parasysh që aspektet e mësipërme të mos analizohen veç e veç, por të gërshetuara me njëra-tjetrën (shih vendiminnr. 33, datë 08.06.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Pra, në thelb të parimit të proporcionalitetit qëndron ekuilibrimi i drejtë i interesave, vlerësimi objektiv i tyre, si dhe shmangia e konfliktit nëpërmjet përzgjedhjes së mjeteve të duhura për realizimin e tyre (shih vendimet nr. 16, datë 01.03.2017; nr. 1 datë 06.02.2013;nr. 52, datë 05.12.2012të Gjykatës Kushtetuese).
Edhe e drejta e votës nuk është absolute, ajo mund të bëhet objekt i kufizimeve. Në këtë këndvështrim, për vetë rëndësinë që merr kjo e drejtë në një shoqëri demokratike, kufizimet që i duhen bërë kësaj të drejte jo vetëm duhet të jenë të pakta, por ato duhen zbatuar brenda kufijve kushtetues.E rëndësishme është që kufizimet të mos jenë të tilla që ta bëjnë jo efektiv ushtrimin e kësaj të drejte ose ta cenojnë atë në thelbin e saj, pasi e drejta e votës nuk është një privilegj që pushteti shtetëror ua njeh shtetasve, por një instrument për të zgjedhur mënyrën dhe personat që do të qeverisin vetë ata. Duke ushtruar të drejtën e votës zgjedhësve iu krijohet mundësia të ndikojnë në mënyrën dhe cilësinë e funksionimit të rendit juridik, duke e bërë shtetasin më të përgjegjshëm për rolin që ai ka në drejtimin e jetës së vendit. Ky është në fakt edhe thelbi i demokracisë(shih vendimin nr. 40, datë 16.11.2007 të Gjykatës Kushtetuese ose vendimin e GJEDNJ-së Aziz kundër Qipros, 22 qershor 2004).
Edhe Komisioni i Venecies për efektin e listave të hapura është shprehur: “Është e vështirë të parashikohet efekti i futjes së listave pjesërisht të hapura në rezultatin përfundimtar. Votimi me preferencë do të jetë efektiv vetëm nëse arrin një prag të caktuar: për të ndryshuar renditjen e listës, një kandidat duhet të marrë më shumë vota preference se numri mesatar i votave të marra për secilën nga vendet e fituara nga partia ose koalicioni; në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më i madh se 10,000 vota (neni 163, pika 3, i Kodit Zgjedhor). Efekti i kësaj risie do të varet nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi i gjerë ose jo nga ana e tyre i mundësisë për të votuar për një kandidat specifik. Edhe nëse një numër mjaft i vogël i mandateve mund të shpërndahet ndryshe bazuar në këtë ndryshim për zgjedhjet e ardhshme, mund të ketë ende një farë ndikimi në taktikat e fushatës” (Shih Opinionin e Komisionit të Venecies për ndryshimet kushtetuese dhe për Kodin Zgjedhor, paragrafi 22).
Lidhur me mekanizmat që do të zbatohen në mënyrën e shpërndarjes së mandateve, edhe aktet ndërkombëtare, si Protokolli nr. 1 i KEDNJ-së(neni 3), si dhe Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (neni 25), që synojnë garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, u kanë lënë shteteve anëtare një hapësirë të gjerë vlerësimi për mekanizmat që kanë në dispozicion për ta bërë ushtrimin e së drejtës së votës efektive.
Gjykata vëren se bazuar në pikën 3 të nenit 163 në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10, 000 vota.Bazuar në vendimet paraprake të KQZ-së për shpërndarjen e mandateve, konstatohet se veçanërisht në qarqet me numër të vogël mandatesh, kandidatët e subjekteve zgjedhore kanë marrëderi në 3 herë vota më pak se vlera e përcaktuar e herësit, për atë zonë zgjedhore dhe atë subjekt zgjedhor, pra është një vlerë dukshëm më e ulët se vlera e herësit. Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 tëKodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër tëvogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur.
Gjykata çmon që pavarësisht se në çështjet e sistemit zgjedhor ligjvënësi, si rregull, është i lirë të veprojë brenda hapësirës së tij normuese, duke përcaktuar qartë dhe rast pas rasti qëllimet që kërkon të arrijë, në rastin konkret zbatimi i herësit në praktikë, në masën e përcaktuar nga pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, tregoi se ishte një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij.
Në vlerësimin e Gjykatës, nëpërcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3të nenit 163të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve,cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.