Rrihet brutalisht djali i politikanit serb në Kosovë që doli kundër Listës Serbe, reagon Kurti

Në Kosovë, policia tha se ka ndaluar tetë persona në fshatin Llapnasellë afër Prishtinës, pas një sulmi ndaj të birit të politikanit lokal serb, Nenad Rashiç. Policia tha se po kryen hetime rreth motiveve dhe rrethanave të sulmit, njofton Zeri i Amerikes.

Politikani serb Nenad Rashiç, u tha medieve se i biri është sulmuar dhe rrahur nga një grup prej dhjetëra personash në afërsi të shkollës ku vijon mësimet dhe ka pësuar plagë në kokë.

Ai është shprehur i bindur se sulmi ka të bëjë me veprimtarinë e tij politike që bie ndesh me atë të Listës Serbe, subjektit politik që mbështetet nga Beogradi.
Sulmi u dënua në nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e cilësoi atë si “akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit”, ndërsa u bëri thirrje forcave të rendit që të vënë sa më parë para drejtësisë autorët e sulmit.

“Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, thuhet në reagimin e zonjës Osmani.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shprehu keqardhjen për sulmin. “Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën. Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, shkroi zoti Kurti në rrjetet sociale.

Sulmin e dënoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj. “Ky është i fundit, në një seri veprimesh frikësuese të kryera kundër figurave të opozitës serbe të Kosovës”, shkroi ai.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, dënoi sulmin duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të tij.

“Lajmi për sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiçit është i neveritshëm çfarëdo qoftë motivi. Ky lloj i dhunës, qoftë fizike apo verbale, është i papranueshëm kundër kujtdo, por është veçanërisht më tronditëse që i ka ndodhur një të riu. Kërkoj nga Policia e Kosovës që të hetojë incidentin dhe të gjejë ata që kanë nxitur dhe kanë marrë pjesë në të”, shkroi ai

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme