Rritet minimalisht nota mesatare e provimeve të maturës shtetërore, sidomos në matematikë

Gazetare: Melihate Rustemi

3.69 është nota mesatare e dy provimeve të maturës shtetërore që u realizua në qershor. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska u shpreh e kënaqur që suksesi është më i lartë se vitin e kaluar kur nota mesatare ishte 3.26. Siç tha Janevska, nota mesatare për gjuhë amtare ka arritur në 3.68, matematikë 4.14 ndërsa gjuhë angleze 3.65.

“Suksesi varet nga mësuesit dhe nxënësit, ne kemi bërë një lloj propagande për një kohë të gjatë në të cilën themi se dija e tyre është pasuria e tyre dhe kjo është ajo që po jep sukses. Përndryshe, ka diçka për të ndryshuar në arsim, filluam me legjislacionin, miratuam akte nënligjore, rregullore në të cilat u tregojmë mësuesve se si të punojnë, mësuesit marrin dhe do të marrin trajnime për shkak të ndryshimit të programeve, po punojmë në infrastrukturë, në tekste të reja shkollore, sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por jemi të kënaqur me suksesin e arritur”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve vlerësojnë se sukseset e arritura nuk janë për shkak të pyetjeve më të lehta, por për shkak të nxënësve më të përgatitur.

“Jam veçanërisht e kënaqur me suksesin e arritur në matematikë. Këtë vit mesatarja është 4.14, ndryshe nga viti i kaluar kur ishte 3.73. Këtë vit, nga një total prej 1.239 që morën lëndët e matematikës, 651 morën pesëshe, që do të thotë se nuk është aq e vështirë të marrësh lëndën e matematikës. Rezultate më të larta janë regjistruar edhe në estetikë dhe filozofi kundrejt viteve e kaluara”, tha Daniella Jovçevska Mihajllovska, QSHP.

Sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve numri i nxënësve që kopjuan në provimet e maturës shtetërore është 172 dhe ata do të kenë të drejtë të japin provimin në periudhën e provimeve të gushtit, më 12 dhe 14 gusht. Gjithsejt,15,004 maturantë nga të gjitha llojet e arsimit dhe në të gjitha gjuhët e mësimdhënies dhanë provimet në semestrin e qershorit. Rreth 3 % prej tyre nuk u paraqitën në provime. Me ndryshimet e miratuara në Ligjin për Arsimin e Mesëm, një koncept i ri i maturës shtetërore do të zbatohet nga viti i ardhshëm shkollor, i cili parashikon dhënien e një provimi të veçantë të maturës shtetërore për arsimin profesional, të mesëm dhe atë artistik./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme