Është rritur presioni mbi kryeministrin Haradinaj për pezullimin e taksës ndaj importeve serbe.
Kërkesën e ka përsëritur shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, teksa ka kërkuar që të zhbllokohet dialogu Kosovë-Serbi, shkruan sot Koha Ditore.
Haradinaj vazhdon të përballet edhe me presion brenda partnerëve të koalicionit, për pezullimin e kësaj mase.
Presioni në rritje i Brukselit dhe Shteteve të Bashkuara për t’u zmbrapsur nga vendimi që ka futur në bllokadë dialogun me Serbinë bëri që kryeparlamentari Kadri Veseli, si propozues i 100-përqindëshit, të kërkojë suspendimin e kësaj mase.
Por Haradinaj ka kërkuar të mos ndërlidhet taksa me dialogun, duke insistuar në kushtet e vëna prej tij.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, njëherësh ndërmjetëse e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Federica Mogherini, ka treguar për bisedën që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Temë diskutimi ka qenë rinisja e dialogut, të cilin Serbia e ka kushtëzuar me heqjen e taksës.