Një futbollist shqiptar është mes lojtarëve më të shpejtë që kanë qenë pjesë e Euro 2024. Këtë e ka treguar UEFA nëpërmjet të dhënave të saj, teksa ka përditësuar shpejtësitë më të larta të regjistruar nga futbollistët në fushën e lojës gjatë ndeshjeve të këtij aktiviteti.
Më i shpejti nga të gjithë rezulton të jetë Kilian Mbape, i cili me 36,5km/orë ka lënë shumë pas futbollistë e tjerë.
Ai ndiqet nga Ferran Torres i Spanjës me shpejtësinë maksimale të regjistruar në 36 km/orë, si dhe Benxhamin Sheshko me 35,9 km/orë.
Sa i përket futbollistit shqiptar, ai është Nedim Bajrami, i cili në këtë turne ka regjistruar shpejtësinë maksimale 34,8 km/orë në ndeshjet e luajtura me fanellën kuqezi.
Ai ndan vendin e 19 në renditjen e UEFA-s për këtë statistikë me Kajl Uoker të Anglisë, teksa ka lënë pas emra si Xhamal Musiala dhe Niko Uilliams.
PANORAMASPORT.AL