“Rruga e vdekjes” në Fier/ Një segment vetëm 3.70 metra i gjerë, i mbushur me lapidarë

Emisioni “Tak Fak” në News 24 sjell një tjetër dëshmi për problematikat e rrugës Fier–Seman, një aks që sipas banorëve vijon të përbëjë rrezik për drejtuesit e automjeteve.

Nexhat Kulla, i cili ka humbur djalin e tij në këtë rrugë, e viziton shpesh vendin ku ndodhi tragjedia. Por shqetësimi i tij, siç tregon për “Tak Fak”, nuk lidhet vetëm me humbjen personale, por edhe me gjendjen e aksit rrugor.

Ekipi i emisionit nisi të verifikojë në terren problematikën e ngritur nga banori, duke numëruar edhe lapidarët e vendosur përgjatë rrugës në kujtim të viktimave të aksidenteve.

Sipas vëzhgimit në terren, përgjatë aksit Fier–Seman ndodhen lapidarë në distanca relativisht të afërta me njëri-tjetrin, rreth 300-400 metra larg. Pamjet sjellin në vëmendje numrin e aksidenteve fatale të ndodhura ndër vite në këtë rrugë.

Kulla tregon edhe një tjetër segment që, sipas tij, është tepër i ngushtë dhe nuk plotëson standardet e nevojshme për qarkullimin e automjeteve.

Ekipi i “Tak Fak” e mati këtë pjesë të rrugës dhe gjerësia totale rezultoi rreth 3.70 metra.

Edhe drejtuesit e automjeteve që u pyetën nga emisioni shprehen se përballja e dy makinave në këtë segment është e vështirë. Ata thonë se ngushtësia e rrugës krijon vështirësi në qarkullim dhe rrit rrezikun për aksidente.

Banorët kërkojnë ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë në këtë aks, ndërsa problematika mbetet për t’u adresuar nga institucionet përgjegjëse.

The post “Rruga e vdekjes” në Fier/ Një segment vetëm 3.70 metra i gjerë, i mbushur me lapidarë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme