hkrimtari Rudi Erebara është fitues i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë për vitin 2017 me romanin Epika e Yjeve të Mëngjesit. Rudi Erebara ka lindur në vitin 1971. Ai është poet, shkrimtar dhe përkthyes. Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës në vitin 1995, ai nisi një karrierë si analist politik, gazetar dhe shkrimtar. Ai është autori i dy librave me poezi, Fillon Pamja, 1994 dhe Lëng Argjendi, 2013. Dy romanet e tij janë Vezët e thëllëzave, 2010, dhe Epika e yjeve të mëngjesit, 2016.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Kjo është një pyetje që më kujton atë tipin që thotë gjithmonë “Qafsha plakën!”, që të jetë më i besueshëm. Edhe pasi i ka ndërruar jetë e ëma, vazhdon ta thotë se ia ka mbushur mendjen vetes që kështu ka të drejtë. Ka romane vërtet që spikatin, por brenda kohës së vet. Unë nuk i krahasoj romanet jashtë kohës që i përkasin. Është si të gjesh elementin më të vyer në tabelën e Mendelejevit. Uraniumi është më i vyer se ari për Amerikën, Rusinë, Japoninë, Gjermaninë, por është thjesht asgjë, hiç përpara kripës për atë fshatarin në majë të malit. Mobi Dik i Herman Melville është po aq i madh sa Të Mjerët e Hugo, edhe Daullja e Llamarisës e Gynther Grass është po ai i madh sa Lëkura e Shagrenit e Balzakut.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Këtu mund të rendis shumë, por janë të parat Tregime të moçme shqiptare të Kutelit të parat, sepse me ato e kam nisur tregimin e mirë. Botimi Vjeshta e fundit e Xheladin Beut po i Kutelit, edhe tregimi absolutisht më i mirë në shqip për jo një për dy shekuj (edhe ky që jemi), E madhe gjëma e mëkatit, ose Tata Tanushi i Bubutimës, të Kutelit. O’Henry, William Sydney Porter vazhdon të më duket interesat edhe sot, por tregimi që më ka lënë mbresë të pashlyeshme është Efekti Barhaus i Kurt Vonnegut.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Kjo është një botë kaq e madhe si brenda si jashtë Shqipërisë sa është e vështirë ta njohësh të gjithën. Edhe unë nuk e njoh. Të bëj një zgjedhje të ngushtë, do të bëja një zgjedhje të gabuar, pasi të them të drejtën, për pamundësi kohe nuk i kam ndjekur. Njoh aq pak sa janë rrethi im shoqëror. Nga ana tjetër unë nuk kam edukim profesional në letërsi të bëj klasifikime të tilla. Sot për sot janë ata shkrimtarë që kanë shkruar gjithmonë dje. Kështu që duhet të kemi durim se po shkruajnë sot edhe nesër ndoshta shkruajnë diçka më të mirë.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni?
Romane. Tregime. Poezi. Poemat i lexoj më rrallë. Ese edhe më rrallë. Kritikë po qe se e kam me detyrim ta përkthej për punë, për kënaqësi nuk e lexoj kurrë. Nuk më intereson fare. E njehsoj me këta librat studimorë që bëhen për shkrimtarë të gjallë. Bëhen për disa njerëz që nuk hanë dot me lugën e shtëpisë së vet, por shkojnë trokasin te fqinjët, u kërkojnë një lugë të hanë kosin në shkallët e pallatit.
Dhe çfarë nuk lexoni?
Botimet më idiote në botë. Botime që shiten me miliona kopje. Botime të tilla si: Si të arrish sukses në karrierë me 12 hapa. Si të drejtosh biznesin kur je me fitim. Si të drejtosh biznesin kur je me humbje. Edhe gjithë këto debilizmat me energjinë e brendshme e të jashtme të njerëzve që nuk e kanë merituar dhe nuk kanë për ta merituar kurrë shpikjen e librit.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Kam një koleksion të strategjive ushtarake të luftës popullore. Një libër për kapitenët e nëndetëseve që të mëson si të qëllosh me silur. Disa metodika si të konceptosh dekorimin e një banese. Edhe certifikatat e çmimeve që kam marrë. E mendova një herë t’i var në mur të gjitha bashkë, por në çast më erdhi turp nga vetja edhe që e mendova. M’u duk vetja si një nga ata që lexojnë libra: si të rritësh vetëbesimin me tri faza. Merre veten në dorë, mbaje dhe pastaj shtrëngoje. Kështu që i futa të gjitha në bibliotekë.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Imagjinare, që e imagjinoj unë apo që e përfytyroj unë edhe e kanë krijuar të tjerët? Nëse është fjala për heronj të krijuar nga të tjerët më pëlqen Guliveri, por edhe Simbad Detari atë valencë ka. Kurse hero apo heroinë që unë vetë ta kem shpikur edhe ta mbaj në kohë, Zot na ruaj, jo! Nuk kam. Unë besoj në Zot, nuk kam asnjë nevojë për heronj.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?
Lexues i sëmurë. Më vjen ndonjëherë gjynah që nuk u rraha ca më shumë me kalamajtë dhe nuk e çava kokën më shumë se 22 herë që e kam çarë. Tani që e kujtoj, mendoj se do të kisha bërë më mirë të kisha shkuar për peshkim më shpesh. Një libër, një peshkim. Shumë më e shëndetshme. Rezultatet për nga vlera janë të barabarta.
Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Në kohë të fëmijërisë sime kishte pak letërsi perëndimore. Kishte pak letërsi të mirë në përgjithësi. Por Zhyl Vernin e kam lexuar me gjithë sa ka shkruar libra. Një autor i letërsisë realiste, Vladimir Beljajev, më ka mbetur në mend me triptikun e tij, edhe pse punë lufte e përpjekje për ndërtimin e socializmit në Bashkimin Sovjetik. Më lart përmenda Kutelin, pastaj ndryshe nga fëmijët e sotëm, ne sikur na piqte furra më shpejt. Përpara se të mbaroja 8-vjeçaren kisha lexuar gjithë Shekspirin, Balzakun, Hygoin, Tolstoin, Kadarenë e plot shkrimtarë të tjerë, që ishin të botuar në shqip. Por këta më lart i kam lexuar me të gjitha librat. Aktualisht biblioteka e babait tim është e paketuar dhe nuk e kam parasysh të kujtoj titujt e asaj kohe, kështu që po i bie përciptas.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Jo. Për libër jo. Mbaj mend që pata një problem në shkollë të mesme me disa përkthime të thënieve të Pikasos dhe rrezikova shumë në fakt, por jo për fajin tim. Unë e dija rrezikun se ishim mësuar që të vegjël se ne ishim armiq për ata (qeverinë komuniste), edhe ata ishin armiq për ne. Por ishte një gabim moshe, pa ndonjë pasojë. Një notë në sjellje a paralajmërim ndoshta. Nuk e kujtoj saktë. Kanë kaluar kaq vite.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?
Kurani. Më bëri të vlerësoj veprat me një shkallë njerëzore.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Unë kam shkruar shumë, por kam botuar pak. Kam botuar pak, sepse mendoj që një libër duhet botuar vetëm kur ka kohën. Të zgjedh mes dy romanesh e dy librash me poezi që kam botuar nuk më duket logjike. Kuptimplotë? Kuptimplotë është momenti kur shkrimtari ulet e shkruan. Nuk ka rëndësi nëse del letërsi diçka e rëndësishme apo e thjeshtë, akti i uljes së shkrimtarit për të shkruar është kuptimplotë. Pasi libri botohet nuk ka më asgjë kuptimplotë për shkrimtarin se e ka kryer këtë kuptimplotësinë. Se njeriu do e shkruan. Ata që shkruajnë për të shëruar veten, nuk quhet letërsi, quhet kurë mjekësore.
Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Presidentit? Njeriu në kështjellën e lartë të Philip Dick.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Kjo është shumë letrareske. Ne nuk rrojmë në këtë lloj bote. Me shkrimtarë unë pi përditë kafe. Nëse pyetja do të nxjerrë kë kam idhuj unë nga shkrimtarët, ta shkruaj thjesht: asnjë. Unë besoj në Zot, nuk kam idhuj të tjerë. Sa për miq, po, kam plot.
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?
Ata libra që nuk janë botuar.
A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Unë librat e mi i quaj të mbyllur kur janë botuar. Nëse pyetja është për librin që kam qenë duke lexuar dhe e lashë pambaruar ishte një libër i dikujt këtu në Tiranë. Nga këta librat kurativë. Njerëz që shkruajnë dhe nuk u dhembin pyjet e prera për dokrra bejtesh dhe vargjesh të dobëta kundër komunizmit, të cilat unë i besoj me dashje që janë shkruar në atë kohën e diktaturës, por nuk më bën t’i gjej ndonjë vlerë. Na duhet të shpikim një censurë të mirë për botimet. E di që është e pamundur, por na duhet. Boll me këto botime të çdo njeriu që ka pesë lekë në xhep.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
As nuk më shkon mendja. Njerëz që u shkon mendja në të tilla gjëra janë të sëmurë. Kanë probleme me trurin.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Nuk kthehem vazhdimisht. U rikthehem librave vetëm kur më duhet për punë.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Nuk mendoj se duhet të ndihem keq për librat që nuk i kam lexuar, sepse nuk e di kush, ku dhe të kujt janë këta libra.
Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Është një shprehje e bukur e një mikut tim shkrimtar: Mirë që di të shkruash, por a di të lexosh. Aktualisht i kam vënë në radhë ca libra me autorë të ndryshëm, por nuk po ulem dot të përqendrohem, pasi jemi prej kaq kohësh në protestën për mbrojtjen e teatrit.