Presioni ndërkombëtar ndaj liderëve të Kosovës vazhdon të rritet për të mos e zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale, raporton KTV.
Përpjekjet e 22 dhjetorit për të shfuqizuar Gjykatën Speciale kanë shqetësuar Gjermaninë dhe Francën.
Këto dy shtete kanë dërguar në Prishtinë dy zyrtarët e tyre të Ministrisë të Punëve të Jashtme, të Gjermanisë dhe Francës, Christian Hellbach dhe Thomas Bartin, për t’u takuar me udhëheqësit e institucioneve në vend. “Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane. Gjatë vizitës dyditore, ata do të takohen me presidentin, kryeministrin si dhe me përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile. Ndërsa gjatë ditës në njërin nga lokalet në kryeqytet, ka takuar zyrtarë të Vetëvendosjes. Ambasadori gjerman nuk e ka komentuar fare se çfarë u diskutua në këtë takim. Edhe zyrtarët e Vetëvendosjes, pjesëmarrës në këtë takim, i janë shmangur ekipit të KTV-së.
© KOHA.