Nga Kim Mehmeti
Qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj ‘Shqipërive’ tona duhet parë nga këndvështrimi se ata e kanë pranuar si të natyrshme që ‘demokracia’ alla shqiptarçe të mbështetet mbi parimin që një hajdut t’i përfaqësojë qindra të ndershëm dhe një budalla të vendosë për fatin e mijëra të mençurve.
Pastaj të gjitha ndodhitë e sotme në ‘Shqipëritë’ tona duhet parë në tërësinë globale ku pandershmëria dhe hajdutëria i kanë mbuluar vlerat më njerëzore dhe ku e keqja është duke ngadhënjyer mbi të mirën.
Pra ne duhet të jetojmë në pritje të së nesërmes që do sjellë të keqen më të madhe se kjo e sotmja, e të cilat të këqija do mund t’i mbulojë vetëm tragjedia edhe më e madhe e pasnesërme.
Pra, duhet të presim ditën kur do përballemi me tronditjen e pashmangshme globale, kur mbi rrënojat e kësaj ‘demokracie‘ pa asnjë vlerë njerëzore, mbase do mund të ndërtohet një rend i ri më i njerëzishëm.
Dhe atë ditë ne duhet ta presim me një Shqipëri që duket si një mëhallë në duart e mafies dhe me një Kosovë thuajse të braktisur nga ‘Shqipëritë’ tjera dhe e cila e jeton vetminë e vet.
Ndërkohë bëhet gjithnjë e më e qartë se në garën se cila nga ‘Shqipëritë’ tona është më properëndimore se tjetra, ngadhënjen Tirana zyrtare, edhe atë mbase vetëm shkaku i afërsisë së saj me Beogradin dhe pse Kurti i mbetet besnik parimit të ndërtojë shtet siç e duan shqiptarët dhe se ai duhet të jetë burrështetas proshqiptarë që drejton një popullin properëndimorë.
Gjithashtu shumëçka tregon se njësoj si deri dje, edhe sot e nesër, fati i shqiptarisë do vendoset në Kosovë dhe se Tirana zyrtare vetëm përfiton nga zgjidhja integrale e çështjes shqiptare në Ballkan, e të cilën me asgjë nuk e ndihmon.
Dhe pa dyshim se kur shohin që ‘Rilindja’ dhe BDI-ja janë më të afërta me Vuçiqin se me Albinin, të huajt s’kanë si mos thonë: si ta përkrahim Kosovën kur duket qartë se burrështetasit e Tiranës dhe ata të Shkupit, më të afërt e ndjejnë Beogradin se Prishtinën?!
Por, për dallim nga ndërkombëtarët të cilët për ‘Shqipëritë‘ tona mund të mendojnë çka të duan, ne duhet ta kuptojmë se sa më shumë të huajt e përkrahin regjimin ‘kosmopolit’ të Tiranës, aq më shumë ne duhet ta mbështesim Albinin proshqiptarë! (Kim Mehmeti)/sakte.net