Në Kosovë ka filluar të ndjehet atmosfera e zgjedhjeve të parakohshme. Tashmë jo vetëm opozita, por edhe eksponentë të lartë të partive në pushtet kanë filluar që me deklarimet e tyre mos ta përjashtojnë një mundësi të tillë. Mirëpo, cilat ishin rezultatet e zgjedhjeve të kaluara dhe si do të ndikojnë “transferimet” e deputetëve nga njëra parti në tjetrën.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 fituese e zgjedhjeve në bazë të rezultateve të shpallura nga KQZ doli të jetë koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës në koalicion me Partinë e Drejtëisë, Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Lëvizjen për Bashkim dhe Partinë Konservatore të Kosovës. Ky koalicion bashkërisht grumbulloi 222.181 vota (30.38%). E dyta doli të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 184.594 vota (25.24%). Lëvizja Vetëvendosje me 99.398 vota (13.59%) u rendit e treta, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës doli e katërta duke grumbulluar 69.793 vota (9.54%). Nisma për Kosovën e themeluar nga dy të pakënaqurit me PDK – në, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj arriti ta kalojë pragun duke marrë 37.680 vota (5.15%) dhe u rendit e pesta, pas Listës Srpska e cila morri 38.199 vota (5.22 %).
Mirëpo, që nga funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës pas një bllokade të gjatë proporcioni i numrave është zhvendosur. Kjo për faktin se shumë depuetetë u transferuan nga njëra parti në tjetrën. Disa zgjodhën të jenë të pavarur, ndërsa të tjerë paralajmëruan edhe krijimin e iniciativave të reja politike, raporton portali Sakte.net
Nga Partia Demokratike e Kosovës u larguan dy deputetë që së bashku i kishin siguruar rreth 20 mijë vota kësaj partie. E para ishte Margarita Kadriu e cila u shkëput nga PDK dhe zgjodhi të jetë e pavarur. Kadriu kishte fituar 7.098 vota. Nga kjo parti doli edhe biznesmeni Ramiz Kelmendi i cili kishte grumbulluar 13.320 vota. Këto vota, potencialisht mund të kalojnë në subjektin e dytë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas aderimit të këtij deputeti në këtë parti. Megjithatë, edhe LDK e ka punën pisk së paku me dy deputetë. Njëri nga këta të dy është edhe gruaja më e votuar në Kosovë sipas rezultateve të fundit, Vjosa Osmani. Pakënaqësia e Osmanit mund t’i kushtojë LDK’së 39.911 vota, aq sa kishte grumbulluar ajo në zgjedhjet e fundit. Një tjetër deputet që shpesh herë është shfaqur i pakënaqur me vendimmarrjen e LDK’së është edhe Arben Gashi, i cili për këtë subjekt kishte siguruar 14.891 vota. Mirëpo, që të dy këta deputetë pavarësisht rebelimit të tyre, vazhdojnë ende të jenë pjesë e kësaj partie. Luftë politike kanë zhvilluar edhe partia e tretë dhe e katërt, respektivisht Vetëvendosja dhe AAK. Dalja e ish shefes së grupit parlamentar të AAK’së Donika Kadaj Bujupi nga ky subjekt dhe kalimi i saj në Vetëvendosje nënkuptonte edhe 6.143 vota, aq sa kishte siguruar kjo deputete në zgjedhjet e fundit. Nga AAK ishte larguar edhe Melihate Termkolli, e cila kishte siguruar një ulëse në parlament vetëm me 2.588 vota. Por, edhe Vetëvendosje nuk ishte imune nga “transferimet” e deputetëve. Radhët e kësaj partie i braktisi Ilir Deda i cili për këtë subjekt kishte grumbulluar 15.765 vota dhe ishte deputeti i katërt më i votuar në këtë subjekt politk. Nisma për Kosovën arriti të mbrohet nga fenomeni i largimit të deputetëve, por nga ajo u larguan mjaft personalitete që kishin grumbulluar vota të konsiderueshme për këtë subjekt. Po ashtu, ajo mezi e kaloi pragun pasi që nëse kryetari i saj Fatmir Limaj derisa ishte në radhët e PDK’së grumbullonte rreth 70 mijë vota, sapo themeloi subjektin e tij, vetë 26.789 votues i qëndruan besnik./Sakte.net