
Gazetar: Suad Bajrami
Gjyqtarët dhanë këndvështrime të ndryshme sa i përket iniciativave të cilat kritikojnë qasjen e shtetit që ky sistem të funksionojë vetëm në 3 qytete, ndërsa plotësisht i obligon qytetarët që të mbajnë telefon celular. Gjatë debatit, vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së zbatimit të gjuhës shqipe, respektivisht sms-porosive të cilat dërgohen te qytetarët vetëm në maqedonisht.
Gjyqtarët shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari theksuan se kjo është e domosdoshme. Gjyqtarja raportuese, Ana Pavllovska Daneva theksoi që kjo parashikohet në ligj, por është çështje e Ministrisë së Punëve të Brendshme që nuk e zbaton. Daneva propozoi që të hidhen poshtë iniciativat pasi nuk ka bazë ligjore, ndërsa propozimin e saj e mbështeti kryetari i Gjykatës Darko Kostadinovski, por edhe gjyqtarja Dobrilla Kacarska. Iniciativat janë dorëzuar nga Aleancat për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe e Arben Taravarit, por edhe nga Ylli Paçuku i BDI-së.
Pas mbarimit të seancës së sotme, respektivisht brenda ditës, Gjykata Kushtetuese duhet të vendos nëse do të hapë ose jo procedurë. Aktualisht përbërja e Kushtetueses është 8 gjyqtarë, që do të thotë se për të hapur procedurë nevojiten së paku 5 vota. /Alsat



