E premte, 21 Tetor 2016 – Sakte.net
Sali Mekaj, gjykimi i të cilit nisi dje, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në sistemin e drejtësisë së vendit.
“Është e vërtetë që Z.Mekaj i ka ofruar dorëheqjen Këshillit në mbledhjen e datës 13 shtator 2016,” tha zëdhënsja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj për KALLXO.com
Qorraj më tej tha se dorëheqja e Mekajt është miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Gjithashtu, Mekaj sipas Qorrajt, përveç si anëtar i KGJK-së ka dhënë dorëheqje edhe si Kryetar i Gjykatës së Apelit dhe gjyqtar pranë kësaj gjykate.
KALLXO.com kontaktoi edhe me avokatin e Mekajt, Ramë Gashi por ai ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje.
Dje Mekaj së bashku me tre të akuzuar të tjerë është paraqitur në seancën fillestare të Gjykatës Themelore të Prishtinës, por seanca është shtyrë për një datë tjetër pasi mungoi njëri nga të akuzuarit.
Mekaj po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa me kërkesë të avokatëve në këtë rast të gjitha seancat në të gjitha faza e procedurës penale janë mbyllur.