Përçarja e partive duket të jetë bërë trend në skenën politike dhe pikërisht këtë thotë se e evitoi Sami Lushtaku, kur flet për shkarkimin e Bekim Haxhiut, të njohur si Kamishi. Përderisa ky i fundit thotë se nuk e pranon shkarkimin nga pozita e nënkryetarit i degës së PDK’së në Skenderaj, Lushtaku thotë se nuk e ka problem këtë, ndërsa akuzat e Kamishit thotë se vinë nga një ‘zagar’, që e di që asnjëherë s’mund t’ia zërë vendin në Skenderaj.
Kur të gjithë po merreshin me përçarjet e përmasave të mëdha brenda Vetëvendosjes, nga PDK e Skenderajt filloi një shkëndijë e mosmarrëveshjeve me protagonistë Sami Lushtakun dhe Kamishin.
Në bastionin e PDK’së, Skenderajn, vetëm para dy ditëve filluan akuzat brenda hierarkisë së degës së kësaj partie. Kryetari i degës, Sami Lushtaku, bashkë me disa anëtarë, unanimisht kishin shkarkuar nënkryetarin e degës, Bekim Haxhiun, i cili nuk po pajtohet me vendimin dhe se atë mund ta shkarkojë vetëm kryetari i PDK’së, KAdri Veseli.
Mirëpo, Lushtakun nuk po e brengosin përpjekjet e Kamishit për t’u kthyer aty ku e kishte vendin deri para se kryetari i degës ta shkarkonte.
Për Gazetën Express, Lushtaku ka thënë sot se vendimi është marrë pasi ai bashkë me anëtarët që e kanë votuar shkarkimin e Kamishit dhe shtatë asamblistëve, e kanë konsideruar se të njëjtit kishin vepruar kundër vendimeve të partisë.
Sipas Lushtakut, Kamishi po provon t’i bëjë rivalitet në Skenderaj, por këtë nuk do të mund ta arrijë, pas kryetari i degës është i sigurt se ka gjithë përkrahjen.
Nga ana tjetër, Kamishi, në një postim në Facebook, dje ka shkruar se ‘dikë mund ta ketë penguar se ata asamblistë të PDK’së po i japin përkrahje Bekim Jasharit në asamblenë komunale’
I pyetur nëse po e pengon Bekim Jashari dhe përkrahja që asamblistët e PDK’së mund t’ia kenë dhënë kryetarit të pavarur të Skenderajt, Lushtaku ka thënë se kjo është absurde, përderisa vetë i kishte dhënë Jasharit përkrahje për të kandiduar për kryetar të Skenderajt.
“Unë ia kam nënshkruar Bekim Jasharit letrën për të kandiduar dhe vetë jam tërhequr, të gjithë e dinë këtë”, ka thënë ish-kryetari i Skenderajt për Gazetën Express.
“Atij zagarit, Kamishit, i pëlqen të fshihet pas njerëzve të tjerë dhe le të fshihet, por unë nuk kam asnjë problem as nuk më pengon Bekim Jashari”.
Duke mos e pranuar këtë që dega ka vendosur, Kamishi dje ka postuar disa nënshkrime të nëndegëve të PDK’së, që sipas tij, janë kundër Lushtakut. Ky i fundit dyshon në nënshkrimet e mbledhura.
“Unë flasë me njerëz dhe më kanë treguar se ai i ka të falsifikuara ato nënshkrime që ka mbledhur”, është shprehur Lushtaku, duke mos dyshuar në përkrahjen që ka nga njerëzit e PDK’së në Skenderaj.
E, përveç përçarjeve, termi “Baba”, hyri në trendin e PDK’së. Kamishi dje në postimin e tij, fajin më shumë i vinte njerëzve rreth Lushtakut sesa atij.
“’Vendimi’ i z. Lushtaku ishte nga mllefi, inati dhe nxitja e disa njerëzve përkrahë tij, të cilët në mungesë të autoritetit personal fshihen prapa figurës se tij. Servilët e tillë i bëjnë dëme atij dhe Partisë, duke e menduar atë si “BABA” të partisë.