Kryeministri Edi Rama theksoi në Samitin e Beogradit për Sigurinë se ballkanasit duhet ta kenë të qartë se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është “rrugë modernizimi për shoqëritë tona”.
“Ne në Ballkan duhet të jemi të qartë: procesi i BE-së nuk është udhëtim për të shkuar diku sepse njerëzit e presin këtë nga ne, por është rrugë modernizimi për shoqëritë tona”, tha Rama, i cili më tej foli edhe për reformën në drejtësi.
“Kemi nisur një proces që ka qenë i paimagjinueshëm për Shqipërinë dhe sot kemi kaluar një paketë ligjore shumë radikale. Çdokush e ka të qartë: kjo nuk do të ishte e mundur pa mekanizmat e integrimit në BE. Nuk ka mekanizëm tjetër që të na lejojë të dalim nga rruga e një historie jo bujare dhe për të lëvizur përpara. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me Brukselin, por ne duhet të heqim dorë nga mënyrat fëmijërore”, theksoi Rama.
Ndërsa kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi se marrëdhëniet e mira në rajon japin më shumë mundësi, por nga ana tjetër shtoi se nuk është shumë optimist për situatën në rajon.
“Sot kemi më shumë marrëdhënie me shqiptarët e boshnjakët. Nëse bëjmë gjëra bashkë, kemi më shumë mundësi. Nëse do të kemi marrëdhënie më të mira politike e tregtare, nuk do të kemi problemi për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Por, nuk jam shumë optimist për situatën në rajon. BE-ja gjithmonë vendos detyra të reja që përcaktohen në mënyrë burokratike”, tha Vuçiç.
/ Top Channel