SASHK-u dhe Qeveria përmbyllën takimin e radhës të bisedimeve me ndërmjetësues pa epilog konkret. Përfaqësuesi i SASHK-ut, Zenafer Bajmak tha se palët kanë rënë dakord të mos zbulohen detaje nga takimi me qëllim të mos dëmtohen negociatat. Nga SASHK-u mbeten optimist se zgjidhje të do të gjendet dhe se pagat e mësimdhënësve do të rriten. Në takimin e sotëm nuk është diskutuar nëse viti shkollor do të vazhdojë pas 10 qershorit, por sipas SASHK-ut, nëse ligji parasheh një gjë të tillë e njëjta duhet respektuar, shkruan Alsat.
“Ne jemi vazhdimisht optimist dhe shpresojmë që do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interes të gjithë shoqërisë. Sigurisht që do të kemi takim të radhës dhe e njejta është caktuar për të premten. MASH ka një ditë të konsultohet me Ministrinë e Financave, të bëjnë llogari, të na informojnë të premten dhe të vazhdojmë tutje. A u fol për vazhdimin e mësimit pas 10 qershorit? Në këtë moment jo. Ajo që do të vendoset me ligj ne do ta respektojmë. Tani për tani mos të spekulojmë se do të ketë ose sa do të ketë. Derisa nuk kemi një dokument zyrtar nuk do të themi asgjë në deklaratë, nuk është korrekte”, deklaroi Zenafer Bajmak, SASHK./Alsat.mk