Schwendiman: Edhe pse po largohem, të dyshuarit potencialë të Speciales mos të gëzohen

Kryeprokurori gjykatës së krimeve të luftës për Kosovën ka thënë se po detyrohet ta lë punën në një fazë kritike të punës së tribunalit pa asnjë pasardhës të caktuar – kryesisht si pasojë e inercisë së departamentit amerikan të shtetit.

David Schwendiman thotë se ka kërkuar nga departamenti i shtetit për më shumë se një vit kohë për të marrë një vendim për të ardhmen e postit të tij në gjykatën e vendosur në Hagë. Por thotë se vetëm dy javë më parë mori vesh se i duhet të lë pozitën deri në muajin prill, duke mos lënë kohë për të gjetur një zëvendësim.

Schwendiman thotë se nuk e di nëse ka nisur kërkimi për një pasardhës.

“Nuk kam marrë asnjë garancë. Në esencë, qe dy javë gjithçka po kalon në heshtje”, ka thënë ai për të përditshmen britanike “The Guardian” përmes telefonit nga Haga.

Përvoja e Schwendimanit i bën jehonë raporteve të shpeshta të pavendosmërisë dhe paralizës në një departament shtetëror që përballet me shkurtime të thella buxhetore dhe i mbushur me vende të lira në radhët e saja të larta, transmeton Koha.net.

Dyzet pozita ambasadorësh në SHBA janë të lira pa asnjë të nominuar sikurse edhe shtatë nga nëntë pozitat në qendrën kryesore. Një pas një, ish-diplomatët kanë paralajmëruar se SHBA-ja si pasojë po e lëndon ndikimin e saj nëpër botë.

Edhe vakuumi në Tribunalin e Kosovës vjen në një kohë të pasigurt në rajon. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia pas një kryengritjeje, një kundër-kryengritje dhe një intervenim i NATO-s, e ardhmja e vendit ende pritet të zgjidhet. Beogradi, Moska dhe aleatët e tyre refuzojnë të njohin pavarësinë e saj dhe serbët etnikë në territorin e Kosovës mbesin pika potencialisht ndezëse.

Gjykata, e njohur si Dhomat e Specializuara, e themeluar më 2016, ka arritur progres substancial në drejtim të ngritjes së akuzave për disa liderë të UÇK-së për krime kundër serbëve etnikë dhe kosovarëve tjerë kundërshtarë gjatë dhe pak pas konfliktit së vitit 1998-99.

Raportohet se zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale të Kosovës janë në mesin e të dyshuarve, dhe në janar partia udhëheqëse bëri një përpjekje të dështuar për të shfuqizuar legjislacionin që do të rrëzonte ekzistencën e gjykatës.

Mungesa e akuzave për krime lufte për mizoritë e UÇK-së po shihet si një padrejtësi e thellë nga shumica e serbëve, ndërsa shumë kosovarë ankohen se kultura e pandëshkueshmërisë është lejuar të rritet, duke forcuar krimin e organizuar dhe papërgjegjshmërinë qeveritare.

Kur gjykata u themelua fillimisht më 2016, Schwendiman, prokuror amerikan me përvojë të gjerë në rastet e krimeve ndërkombëtare të luftës u zgjidh si “prokurori i parë special” , transmeton Koha.net.

Ai i tha “Guardian-it” se kishte pranuar këtë pozitë me kushtin e vetëm të pavarësisë financiare dhe politike dhe që të mund të përfundonte mandatin e plotë deri më 2020.

Edhe pse emërimi i tij tre-vjeçar nga departamenti i shtetit si oficer i lartë i shërbimeve të jashtme pritej të përfundonte dy vjet para përfundimit të mandatit të tij në Hagë, zyrtarë të administratës Obama e siguruan atë se mandati i tij do të zgjatej për t’i lejuar atij përfundimin e mandatit si prokuror.

“Pasi ndryshoi administrata, jam tërësisht i bindur se profesionistët në departament e kanë kuptuar [rastin], por ishin të sinqertë me mua se të tjerët në departament nuk ishin të interesuar”, thotë Schwendiman.

“Kërkuam me ngulm një përgjigje rreth asaj se çfarë do të ndodhte. Desha të sigurohesha se nëse nuk do të më vazhdohej mandati se do të kishte kohë të mjaftueshme për të gjetur një pasardhës në mënyrë që të kishte sa më pak përçarje”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Megjithatë, ai nuk mori asnjë udhëzim derisa u ftua në Ambasadën Amerikane në Hagë më 13 shkurt, dhe iu tha përmes një telefonate nga departamenti i shtetit se do t’i duhej të hiqte dorë nga posti deri në fund të muajit mars.

“Më thanë: Faleminderit për shërbimin tuaj, por ata nuk do të bëjnë një përjashtim të rregullave”, tha më tej Schwendiman.

Gjetja e një pasardhësi do të jetë çështje komplekse. Do të varet nga zyrtarët evropianë për të vendosur se si do të bëhet kjo. Thuhet se po favorizojnë një prokuror amerikan për këtë pozitë, për të mbajtur Washingtonin të angazhuar në Kosovë.

Zëvendësprokurori Kwai Hong Ip, avokat britanik, do të shërbejë si kryeprokuror në detyrë, por mundësia që ai të përfundimisht të marrë postin e plotë është e komplikuar si pasojë e politikës së Brexitit.

Schwendiman insistoi se largimi i tij në një afat kaq të shkurtër nuk do të pengojë punën e gjykatës.

“Njerëzit në rajon, ata që duhet të brengosen se mund të mbahen përgjegjës, nuk kanë pse të gëzohen”, insiston ai.

“Vlerësimi im i sinqertë është se kjo nuk do të na ngadalësojë. Kur të piqen kushtet do të bëjmë atë duhet bërë”.

Megjithatë, nëse merret një vendim politik se ndjekjet penale duhet të presin derisa të gjendet një kryeprokuror i ri, atëherë mund të konsiderohet vonesa deri në gjetjen e pasardhësit, në aprovimin e tij dhe më pas të nis të merret me shpejtësi me 700,000 faqet e dokumenteve dhe me qindra intervista që i ka mbledhur gjykata, transmeton Koha.net.

Departamenti i shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

© KOHA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme