Të paktën 32 persona kanë humbur jetën pasi një kamion ka goditur turmën me njerëz në Guatemala.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën mbrëma pranë qytetit Nahula. Nga aksidenti nëntë persona të tjerë mbetën të plagosur, transmeton Koha.net.
Mediat raportojnë se mes viktimave kishte gra dhe fëmijë.
“Në këtë kohë, ne po e koordinojmë reagimin tonë për t’u ofruar mbështetje të plotë të afërmve të viktimave”, ka thënë presidenti i vendit, Jimmy Morales, në një postim në Twitter, raporton Reuters. “Ngushëllimet e mia më të thella”.
Grupi me gjasë ishte mbledhur në rrugë për të inspektuar një person që ishte mbytur në një aksident tjetër kur kamioni goditi ata, ka thënë një zëdhënës i zjarrfikësve.
“Me sa duket, kamioni nuk e kishte vënë re numrin e njerëzve në rrugë dhe i ka shkelur”, ka thënë Cecilio Chacaj, raporton “SkyNews”.
Ky aksident ka shënuar një prej aksidenteve më të rënda në vend në vitet e fundit. Më 2013, një autobus doli nga rruga në Guatemalën rurale, duke vrarë së paku 43 persona dhe duke lënduar disa dhjetëra të tjerë.