Gazetare: Melihate Rustemi
Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani tha se institucioni që ai drejton ka shlyer të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me funksionimin e çerdheve në Haraçinë dhe Likovë. Sipas Limanit, tashmë u mbetet kryetarëve të komunave të vendosin se kur do të fillojnë me punë këto objekte për përkujdesjen e fëmijëve parashkollor.
“I kam nënshkruar edhe pëlqimet, ua janë ofruar atyre, arsyet se pse nuk hapen çerdhet është çështje me të cilën por edhe për të cilën duhet të japin shpjegim ata por mendja ma merr se ato si kryetar komunash i din hapësirat, mundësitë që i kanë. Unë jam këtu për t’u ndihmuar në të gjitha aspektet që të cilat lidhen me ministrinë tonë. U kam thënë edhe atëherë, po e përsëris, apeloj edhe sot për të gjitha kërkesat që i kanë ato, qofshin për punësimet e reja ose për projekte të reja ne jemi të hapur”, deklaroi Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale.
Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës tha për Alsat se çerdhja në fshatin Mateç do të nis me punë javën që vjen. Mirëpo, Arifi kujton se vonesa e vënies në funksion të këtij objekti ka të bëj me vonesën e firmosjes së pëlqimeve nga ministri Fatmir Limani, i cili fillimisht i firmosi më 25 dhjetor të vitit 2024 duke mos lënë kohë të mjaftueshme për realizimin e konkursit për stafin që do të angazhohet në këtë çerdhe.
“Duke pas parasysh se ato pëlqime janë vjetore, për vitin 2024 nuk mundej të realizohen në aspekt juridik brenda vitit 2024 ne kërkuam që të vazhdohen për vitin 2025 dhe deri në fillim të muajit shkurt nuk na kanë ardhur pëlqimet. Pastaj është dashur që të kërkojmë përsëri takime nëpër institucione qendrore, të kërkojmë një ditë e më herët të jepen pëlqimet dhe arritëm ti marrim pëlqimet, të shpallim konkurset dhe Zotin para planifikojmë deri në fund të muajit shkurt ta hapim çerdhen “Valbona 2001” në fshatin Mateç”, tha Erkan Arifi, kryetar I Komunës së Likovës.
Situatë e ngjashme edhe në çerdhen e Haraçinës, Kryetari i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi tha përmes telefonit se çerdhja në Haraçinë do të nis me punë muajin e ardhshëm. Në çerdhen e Haraçinës “Fatosat” pritet të sistemohen 115 fëmijë pavarësisht që lista e pritjes së fëmijëve tejkalon këtë numër. Gjithashtu, në çerdhen e Likovës “Valbona 2001” pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe. /Alsat.mk