Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot në New York, për të shqyrtuar raportin e rregullt tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut në Kosovë.
Kosovën do ta përfaqësojë ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ndërsa Serbinë e përfaqëson ministri i saj i Jashtëm, Ivica Daçiq.
Këshilli i Sigurimit është kryesisht i shqetësuar për tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit. Ato janë rritur muajt e fundit, mbas aprovimit të ligjit për transformimin e forcave të sigurisë në ushtri. Për këtë Këshilli i Sigurimit diskutoi më 17 dhjetor. Mbas mospranimit të Kosovës në Interpol, Kosova vendosi tarifa prej 100% mbi mallrat e importuara nga Serbia. BE dhe SHBA kanë kërkuar që ky vendim të pezullohet. Ndër elementet që përmenden në raport është edhe fillimi i punës së dhomave speciale për krimet në Kosovë. Dy muajt e fundit zyra e Prokurorit të dhomave speciale ka bërë intervista me disa nga komandantët e ish-UÇK. Zyra e Prokurorit pritet të ngrejë paditë e para që këtë vit, raporton Koha.net.
Ambasadorja Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj mbajtjes së seancës së sotme të KS të OKB-së për Kosovën, duke e quajtur një seancë të kotë dhe të parëndësishme.
“Sot edhe një seancë koti. Pa rëndësi dhe pa asnjë nevojë. E neveritshme të shihet se si Këshilli i Sigurimit po shndërrohet në teatër ku i mundësohet Serbisë të përsërisë gënjeshtra në të cilat nuk beson as vet. #KosovaRepublikë #SkaKthimMbrapa #SkaRishkrimTeHistorisë”, shkruan diplomatja Çitaku në llogarinë e saj në Facebook.
Pak më vonë, sërish përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka shkruar se është “Rrugës për në New York për një tjetër takim të kotë të Këshillit për Siguri për Kosovën”.
“Është shqetësuese të shihet se si platforma Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është shtrembëruar në një teatër ku Serbia vjen dhe ndan tregime që madje as vetë nuk besojnë”, ka shkruar Çitaku.