Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Në këtë takim, ministri dhe ambasadori britanik biseduan për aktualitetin politik në Kosovë dhe angazhimet e përbashkëta mes dy vendeve.
Sefaj e falënderoi ambasadorin O’Connell për mbështetjen e pakursyer që Britania e Madhe i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, njofton Klan Kosova.
Ministri ritheksoi rëndësinë e partneritetit dhe miqësisë mes Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, në procesin e shtetndërtimit dhe në konsolidimin e demokracisë.
Ambasadori O’Connell falënderoi ministrin e Punëve të Brendshme për përkushtimin e tij, që institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë janë duke dhënë për të siguruar një ambient të qetë.
O’Connell shprehi gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.