Sejdiu: AKR nuk ndryshon qëndrim, Thaçi po i shërben PAN-it

Nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, ka mohuar raportimet se kjo parti është gati që t’ia japë votat PAN-it për krijimin e qeverisë.

Në Interaktiv të KTV-së, Sejdiu ka thënë se “këto raportime nuk janë të bazuara në asgjë”.

“Me gjasë edhe këngë janë thurë që shpresa vdes e fundit, por ajo shpresë nuk është e bazuar në asgjë. Nuk është e bazuar në fakte sepse nëse dikush ka qenë konsistent në qëndrime është pikërisht AKR, e cila që nga fillimi ka thënë se do të veprojë në rreshtim me LDK-në dhe Alternativën”, ka thënë ai.

Duke folur lidhur me takimin e Rrahim Pacollit me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, Sejdiu ka thënë se nuk e di arsyen dhe beson se ka qenë takim personal që “është nxjerrë prej kontekstit”.

Sa i përket ftesës së presidentit Hashim Thaçi drejt partive politike për caktimin e një date për seancën e parë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit, Sejdiu ka thënë se e sheh si zhagitje të procesit dhe tentativë e presidentit që të vendosë veten në shërbim të PAN-it.

“Kam dëgjuar që një ftesë është dërguar te subjektet politike të ndara, por te ne nuk kam informatë që si AKR kemi marrë ftesë. Kam dëgjuar në media se ftesa është dërguar. Kemi nesër takim të rregullt që do të mbajmë deputetët e koalicionit LAA dhe nëse arrin patjetër që do të diskutojmë. Vendimet si AKR do të jenë në koordinim të plotë me koalicionin. Si të vijë ftesa si koalicion do të vendosim a do të shkojmë apo jo”, ka shtuar ai. “Po e shoh si zhagitje të qëllimshme dhe tentativë e tij që të jetë krah PAN-it”.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme