Selimi: Si do ta bindin Serbinë që të heq dorë nga Presheva, Medvegja e Bujanovci

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se bashkimi me Luginën e Preshevës duhet të ndodh por pa e rrezikuar sovranitetin dhe territorin e Kosovës.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të mbajtur për media duke shtuar se Presidenti Hashim Thaçi është duke u munduar që të manipulojë me temën e Luginës së Preshevës vetëm për të krijuar diskurs për ndarjen e Kosovës.

“Gjendja e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, mbetet faktorë i pakryer nga ana e Serbisë. Tashmë dihet se Serbia nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarët e këtyre tre komunave janë në gjendje të rëndë. Deri më tani Presidenti Thaçi e ka përgatitur një rezolutë për ta sjellë në Kuvend dhe që ka të bëjë për Shqiptarët që jetojnë në këto tre komuna”, tha Selimi.

Deputeti i VV’së përmendi edhe rezolutën e miratuar për këtë temë.

“Mos të harrojmë që ka pasur edhe rezoluta tjera që janë miratuar në Kuvend për këtë çështje por deri më tani nuk është zbatuar asgjë. Flitet në ndërkohë për bashkimin e kësaj zone, por flitet në kuadër të planit të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme”.

“Pavarësisht kontakteve të shpeshta midis Qeverisë apo Presidencës me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, deri më tani asnjë marrëveshje nuk ekziston. Nuk ekziston ndonjë marrëveshje me shkrim. Në asnjëherë nuk kemi arrit ta kushtëzojnë Serbinë për t’i respektuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Prandaj nuk e di se si do të mund ta detyrojnë Serbinë që të heq dorë nga këto tre komuna”, shtoi ai.

Gjithashtu, ka folur edhe për vizitën e presidentit të Shqipërisë, Edi Ramës.

“Pikërisht ata që i shkelin të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, po garantojnë se po i respektojnë të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Duhet të theksojmë se flamuri shqiptar kombëtarë është i ndaluar që të përdoret atje. Një ditë pas vizitës së Presidentit Rama atje, janë arrestuar të gjithë organizatorët që kanë mbajtur flamuj kombëtarë”.

“Mos të harrojmë se atje ka ndodhur një referendum në vitin 1992 dhe ai referendum do të duhej të respektohej. Duhet të ndodhë bashkimi i tre komunave, por me Kosovën e Bashkuar. Ne duhet ta kuptojmë se integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian, shqiptarët e kanë në dorë”.

Kjo sipas tij, po bëhet pasi që presidenti Hashim Thaçi po manipulon me temën e Luginës së Preshevës.

“Presidenti Thaçi jo rrallë herë ka manipuluar me çështjen e Luginës së Preshevës. Kjo thjeshtë ka të bëj me krijimin e një diskursi për ta prezantuar veten si një njeri të interesuar. Kjo është vetëm një karrem për të realizuar ndarjen e Kosovës. Thaçi është duke manipuluar dhe jo duke u munduar që ta zgjidhë problemin në Luginën e Preshevës”, përfundoi Selimi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme