Kaos në trafikun e Prishtinës. Kjo gjendje është qe shumë vite, shumë vetura dhe rrugë në gjendje jo të mirë.
Të gjitha këto po shkaktojnë tollovi në komunikacion.
Gjithë kësaj, i shtohen semaforët e prishur. Komuna e Prishtinës, po planifikon të vendos semaforë të rinj që kushtojnë shumë, por për mirëmbajtjen e atyre aktualisht komunës së Prishtinës i kushton 50 mijë euro, ngase bëhet nga një kompani.
KosovaPress për ditë me radhë ka tentuar të marr një përgjigje rreth mirëmbajtjes së semaforëve nga kompania “EkoInvest” të cilën komuna e ka të kontraktuar për mbikëqyrjen e semaforëve, por që ata nuk i janë përgjigjur telefonatave.
Tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve kompania “EkoIvest” nuk ka të deklaruar kapitalin, ndërsa ka deklaruar vetëm një punëtor.
Ata që çdo ditë janë në komunikacion nuk janë aspak të kënaqur me mënyrën se si funksionojnë semaforët në kryeqytet.
I mllefosur jo vetëm me semaforët por edhe me qeverisjen e Shpend Ahmetit u shpreh kalimtari, Shaban Jashari, i cili teksa kalonte në semaforët tek rruga “Agim Ramadani” të cilët janë jashtë përdorimit qe disa kohë tha se ndihet i rrezikuar.
Se kanë probleme kur nuk po funksionojnë semaforët e pranon edhe Blerim Duraku i cili është shofer taksie.
Çdo ditë rrugën “Agim Ramadani” e përshkon edhe Lozartë Fazliu e cila thotë se ndihet e rrezikuar teksa kalon semaforët që janë jashtë përdorimit, por që sipas saj edhe ngasësit e veturave po kanë mirëkuptim ndaj tyre.
Kadri Hamiti nga Shkabaj thotë se meqenëse semaforët nuk funksionojnë si duhet, qytetarët duhet të kenë vëmendje më të madhe gjatë kalimi të rrugëve pasi që ndihen të rrezikuar nga aksidentet.
Duke folur në aspektin e mbikëqyrjes së semaforëve, Halil Halili zyrtar për trafik në komunën e Prishtinës thotë se më së shumti ballafaqohen me dëmet e semaforëve për shkak të aksidenteve.
Ai tha për KosovaPress se posa marrin sinjalin se një semafor është jashtë funksionit ekipet intervenojnë menjëherë së bashku me kompaninë, e cila është kontraktuar nga komuna për monitorimin dhe mirëmbajtjen e semaforëve.
Sipas Halilit duke parë se udhëkryqet që janë më të ngarkuar gjatë orëve të pikut kanë vendosur harta të reja të semaforëve.
Sipas tij, kosto e vendosjes së një semafori komunës së Prishtinës i kushton 30 mijë deri në 50 mijë euro por kjo varet edhe nga çmimi i pajisjeve dhe teknologjisë që përdoret.
Janë tri lagje ku së shpejti do të vendosen semaforët e rinj. Sipas Halilit në lagjen “Arbëria”, në rrugën “Muharrem Fejza” dhe afër shkollës “Iliria” në Breg të Diellit, komuna e Prishtinës ka paraparë së shpejti vendosjen e tri nyjeve të reja të semaforëve.