Senati amerikan: ‘Ballkani i Hapur’ mund të përdoret nga Rusia

Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan zhvilloi dje një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor.

Mes disa çështjeve që u shtruan për diskutim ishte edhe ajo e Ballkanit të Hapur.

 Kryetari i këtij komisioni, Robert Menendez ngriti shqetësimin se nisma ekonomike është problematike pasi ajo udhëhiqet nga Serbia si ekonomia më e fortë në rajon.

Jo vetëm kaq, por Menendez tha se kjo nismë mund të përdoret nga aleati i Serbisë, Rusia për të anashkaluar sanksionet. Lidhur me këtë çështje, i dërguari i SHBA në rajon, Gabriel Escobar tha se BE dhe SHBA nuk kanë të dhëna se sanksionet mund të jenë anashkaluar.

I pyetur nga senatorët se me çfarë kushtesh e mbështet SHBA këtë nismë, Escobar tha se Uashingtoni e përkrah nëse edhe Kosova bëhet pjesë me të drejta të plota.

“Open Balkan është vetëm një mundësi për integrim ekonomik. Duhet të jetë plotësuese, jo konkurrente me gjitha iniciativat e tjera. Kushtet për përkrahje të ‘Open Balkan’ janë që të jetë i hapur për të gjithë, i barabartë për të gjithë. Kjo kërkon që Serbia ta pranojë Kosovën si anëtare e plotë. Fatkeqësisht në shumicën e iniciativave të tjera, përfshirë edhe evropiane, Kosova nuk mund të marrë pjesë si e barabartë. Është mundësi për të krijuar një integrim më të madh të Kosovës në rajon, nëse kjo iniciativë ecën para. Përndryshe nuk e përkrahim”, tha Escobar.

Escobar tha se “mbështet çdo iniciativë që i afron bashkë vendet e Ballkanit për sa kohë ajo iniciativë është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe për aq gjatë sa i trajton njësoj të gjitha vendet”.

“Ne e mbështesim ‘Open Ballkanin’ dhe mbështesim tregun e përbashkët, aq sa e mbështesim edhe Procesin e Berlinit. Ne do të vazhdojmë t’i kontrollojmë me kujdes”, deklaroi ai.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme