Ngritja e një barriere prej betoni afër urës së Ibrit është kushti që kanë vendosur serbët për t’i rinisur punimet e ndërprera për rivitalizimin e urës.
Duke marrë si pretekst mungesën e sigurisë në veri, qeverisja lokale dhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë kanë kërkuar shtimin e masave të sigurisë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo evidentohet edhe në raportin e kësaj zyre nga tetori i vitit të kaluar, ku përveç KFOR-it dhe Policisë së Kosovës serbët kanë kërkuar edhe përfshirjen e EULEX-it, si dhe ndërtimin e një barriere të betonit deri në përfundimin e punimeve. Atyre nuk u ka mjaftuar as funksionalizimi i Njësisë Policore të EULEX-it me bazë në Mitrovicë.
Në Qeverinë e Kosovës nuk i kanë komentuar kërkesat e veriorëve duke thënë se çështja e rivitalizimit të urës do të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit. Por rinisja e negociatave pas më shumë se një viti u ndërpre pas vrasjes së politikanit të njohur, Oliver Ivanoviq, javën e kaluar.
Një raport i Zyrës serbe për Kosovë flet për takimet e zhvilluara me ndërkombëtarët në funksion të zgjidhjes së çështjes së sigurisë në zonën përreth urës, si parakusht për lejimin e vazhdimit të punimeve…