Serbia dhe Bosnja “vegla” të Rusisë për përçarje

Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin është i fokusuar tek lufta e tij brutale por e dështuar në Ukrainë, ai vazhdon që të shtrijë akoma më tej ambiciet e tij. Në fakt Rusia po përpiqet që të minojë demokracitë në të gjithë Evropën, dhe e bën këtë duke shpërndarë fonde dhe mbështetje për grupet e ekstremit të djathtë dhe operacionet propagandistike.

Por Putin ka gjetur një terren vecanërisht pjellor në rajonin e Ballkanit, duke përhapur pikëpamjen e tij se Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut synon që të margjinalizojë botën ruse, sllave dhe ortodokse lindore. Në qendër të këtyre përpjekjeve është Serbia, shteti më i rëndësishëm ish-jugosllav, që nuk është një anëtar i NATO-s.

Kur isha komandant suprem i aleatëve të NATO-s gjatë viteve 2009-2013, e kam vizituar shpesh Ballkanin. Aleanca kishte më shumë se 15.000 trupa në një mision paqeruajtës në Kosovë, një republikë e vogël që e sfidoi Serbinë dhe shpalli pavarësinë.

Kjo çështje kishte ndezur një luftë të rëndësishme në vitin 1999, gjatë të cilës avionët e NATO-s bombarduan kryeqytetin serb, Beogradin. Megjithatë, qeveritë serbe të viteve të fundit kanë punuar për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin dhe për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Megjithatë ka ende forca gjithnjë e më të rrezikshme, të cilat e mbështesin Vladimir Putinin në Serbi por edhe në vendet më të vogla fqinje. Rusia ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo ka qenë thuajse me siguri prapa një përpjekjeje për grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016.

Po ashtu ka mbështetur elementët separatistë në Bosnje Hercegovinë. Mbi të gjitha, presidenti rus dëshiron që ta mbajë Serbinë dhe Bosnjen jashtë NATO-s dhe BE-së. Po ashtu, ai dëshiron që të nxisë mbështetjen për luftën e tij katastrofike në Ukrainë dhe në përgjithësi synon që ta shpërqendrojë Perëndimin duke prodhuar tensione, sidomos midis Serbisë dhe Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme