Serbia: Njohja e Kosovës për ne është problem i madh, sa Mali Everest

Strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor e trajton Kosovën si vend të barabartë me shtetet tjera të rajonit, dhe ofron perspektivë të qartë të anëtarësimit në vendeve të Ballkanit në BE. Kështu ka thënë mbrëmë Natalia Apostolova, shefe e zyrës së BE’së në Kosovë. Edhe pse më afër anëtarësimit në BE janë Mali i Zi dhe Serbia, kjo e fundit duhet të jap fillimisht një zgjidhje punëve me Kosovën e pastaj të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. E lidhur më këtë çështje, Kosova e Serbia po i transmetojnë ndryshe qëndrimet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me Strategjinë e re për zgjerim të Bashkimit Evropian, Serbia obligohet ta njohë Republikën e Kosovës.

Ai ka theksuar se ky dokument, përveçse e sheh Kosovën pjesë të politikës së zgjerimit të BE’së, ofron edhe një qartësi të procesit të dialogut me Serbinë.

Hoxhaj ka thënë për “Epoka e re” se pesë vendet anëtare të BE’së, që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë ndikuar në këtë dokument.

Zëvendëskryeministri kosovar ka ftuar anëtarët e BE’së, që kanë njohur Kosovën, të mos fshihen pas zërave kundërshtues, por të jenë të qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës.

E, teksa ka folur për liberalizimin e vizave, Hoxhaj ka bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje e shpejtë konsensuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Se Serbia duhet së pari të rregulloj raportet me Kosovën e pastaj të shqyrtoj mundësinë për BE, e ka pranuar edhe Presidenti serb Aleksandar Vucic.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi dje, në një konferencë për media me euro-komisarin Johannes Hahn, se para Serbisë gjenden pengesa të mëdha “një Mont Everest”, për të cilat do të duhet të vendosin qytetarët, ndërsa ndër më të mëdhatë është çështja e Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Sipas raporteve të medias serbe nga pres-konferenca pas takimit me Hahnin në Beograd, dy pengesat tjera të cilat i ka përmendur presidenti serb janë kontestet rreth kufijve me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë.

“A janë këto pengesa të lehta për ne? Nuk janë, si Himalajet janë, por ne s’do të ishim të parët që janë ngjitur në Mont Everest”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar: “(ka ardhur koha që) të marrim vendime, të paguajmë çmime të caktuara nga e kaluara dhe t’i zgjidhim problemet të cilat askush s’i ka zgjidhur me dekada”.

Vuçiq ka thënë se bëhet fjalë për “çështje aq të mëdha sa qytetarët do të duhet të deklarohen për to”.

“A po e shohim ardhmërinë në Evropë, për çka na duhet të paguajmë një çmim të caktuar, që nuk është i ulët, apo të mbetemi në këtë tani? Këtë do ta vendosin qytetarët dhe ne do ta respektojmë atë vendim. Por, nuk do të fshihem, porse do ta them atë që mendoj se është më e mira për vendin, kurse qytetarët do të tregojnë se a është kjo fer apo jo”, ka theksuar Vuçiqi.

Ai, siç transmeton Expressi, nuk ka sqaruar nëse me këtë mendon për një referendum të mundshëm apo për dalje në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por ndryshe mendon Marko Djuric, duke thënë se Kosova së pari as shtet nuk është.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova.

Ai ka shtuar se përkundër faktit se më 17 shkurt bëhen 10 vjet nga, siç tha ai, vetëshpallje e pavarësisë së Kosovës, këtë krijesë të rreme, atë nuk e kanë njohur tri të katërtat e njerëzimit,

Sipas tij Kosova blen “mikro shtetet, i qerasin ato, iu dërgojnë para me valixhe” dhe përkundër kësaj, ka shtuar Gjuriq, Kosova nuk është anëtare as e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e Këshillit të Europës dhe as e ndonjë organizate tjetër të rëndësishme ndërkombëtare.

“Nuk do ta njohim këtë krijesë të rreme, nuk do ta njohim derisa të jetë Vuçiq dhe deri sa ta udhëheqim këtë politik ë”, citon tanjug të ketë thënë Guriq

“Nuk ka heqje dorë nga Kosova”, ka thënë ai duke shtuar se çështja e Kosovës është njëra nga çështjet më serioze shtetërore e kombëtare të Serbisë./GazetaExpress/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme