Serbia po i falsifikon provat kundër Haradinajt

Gjykata në Colmar të Francës ka shtyrë për të tretën herë vendimin për lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajn. Në seancën e sotme gjyqësore, trupi gjykues vendosi që vendimi për Haradinajn të shtyhet për 27 prill

Sipas analistit dhe publicistit Halil Matoshi, zvarritja e këtij procesi ndodh për shkak të lajthitjes në të cilën është vënë drejtësia franceze, përmes falsifikimit të provave dhe shpikjes së dëshmive nga Serbia.

“Nuk dua të dëgjoj kopalla konspiracionesh që thuren në Prishtinë, se kinse Haradinaj është ndaluar atje që të mos ndikojë në proceset politike, si: demarkimi i kufirit me Malin e Zi apo Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Haradinaj është peng i fushatës të orkestruar nga Serbia dhe armiqtë e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për Telegrafin.

Matoshi theksoi se Haradinaj është njeri që i dha Kosovës shumë, si në luftë ashtu edhe në paqe, dhe se beson që drejtësia franceze nuk mund të ndikohet politikisht.

Duke folur rreth mundësisë së ekstradimit të Haradinajt në Serbi, Matoshi theksoi se kjo do të paraqiste precedent ndërkombëtar, madje edhe rrezik.

Analisti tjetër, Blerim Burjani, shprehet se nuk është dashur të ndodhte shtyrja e sotme e vendimit ndaj Haradinajt. Në një prononcim për Telegrafin, ai ka theksuar se fletarresti i lëshuar nga Serbia, me anë të të cilit është ndaluar Haradinaj, do të duhej që moti të shpallej jovalid.

Të pyetur rreth arsyes se përse po ndodhin këto shtyrje, analistët shprehen se Serbia po e zvarrit procesin duke pretenduar se po mbledh prova shtesë, ndonëse fletarresti daton që nga viti 2004!?

“Ndalimi i Haradinajt është shkelje e të drejtave të njeriut, sepse një person kurrë nuk mund të ekstradohet në një tokë armiqësore për t’u gjykuar”, u shpreh Matoshi.

Ndërsa, sipas Burjanit, është e çuditshme edhe kërkesa për prova shtesë nga Serbia.

“Aktet ndërkombëtare e kërkojnë një gjë të tillë veç kur personi është në arrati dhe kur nuk dihet vendndodhja e tij”, tha Burjani.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore ndaj Haradinajt, prokuroi tha se Haradinaj dyshohet për vrasjen e disa romëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Matoshi shprehet se ky abuzim me mekanizmat ndërkombëtarë që po bën Serbia, është në vazhdën e diskreditimit të luftës së drejtë të UÇK-së dhe të rrënimit të imazhit të shtetit të Kosovës.

“Haradinaj është ndaluar në Francë me një fletarrest jokredibil të një shteti që kishte nisur një fushatë gjenocidi ndaj popullsisë së Kosovës, të një shteti të ka karakterizuar fashizmi, për çka Serbia është bombarduar nga forcat e NATO-s për shtatë javë rresht”, tha Matoshi.

Analistët shprehen të bindur se më 27 prill Haradinaj do të lirohet, nëse jo me vendim lirues të Gjykatës, atëherë me vendim të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre, ekstradimi i tij në Serbi nuk ka gjasa të ndodhë. /Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme