Serbja që studion gjuhë shqipe në Beograd, ja çka thotë për shqiptarët

Sladjana Stojiljkoviç është studentja serbe nga qyteti i Leskovacit, e cila është në vitin e dytë të studimeve për Albanologji në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, e cila ka shpërfillur shikimin e vëngër të opinionit publik që është i mbushur plot stereotipe e paragjykime të vjetra për shqiptarët.

Përtej faktit që mësimi i gjuhës shqipe është i kërkuar dhe i dobishëm për komunitetet në Serbi dhe Kosovë, ai hap përmasa të reja të njohjes mes dy vendeve duke inkurajuar kulturën e dialogut dhe bashkekzistencës.

Jo më kot gjuhëtari dhe filozofi amerikan, Noam Chomsky, thotë se “gjuha nuk ka të bëjë thjesht me fjalët. Është një kulturë, një traditë, bashkimi i një komuniteti, një historie të tërë që i jep jetë vetë komunitetit”. Sladjana e dëshmon më së miri këtë gjë, kur rrëfen se që në momentin që ka nisur të studiojë shqipen ka nisur të njohë kulturën shqiptare, të lexojë Ismail Kadarenë, e të dëgjojë muzikën Jazz të Elina Dunit.

Por, Sladjana nuk është e vetme në këtë rrugëtim, pasi janë afro 15 studentë serbë që ndjekin çdo vit akademik studimet për Albanologji, të cilët janë shpresëplotë se ardhmja do të vijë me një tjetër fytyrë, pa maskën e nacionalizmit që i ka penguar shpesh ballkanasit të njohin njëri-tjetrin.

Sladjana, së pari na trego se si u motivove për të studiuar Albanologji në Beograd, dhe si e pritën vendimin tënd njerëzit për rreth. A je përballur me paragjykim apo stigmë vetëm për faktin që studion shqip, duke marrë parasysh të kaluarën problematike të kombeve tanë?

Në fakt më duhet të pranoj se fillimisht nuk kisha asnjë njohuri mbi praninë e një Departamenti Albanologjie në Beograd. Qëllimi im i mëhershëm ishte të studioja një tjetër gjuhë, por ndërkohë që koha kalonte, dhe provimet e pranimit në universitet ishin në prag mora më shumë informacione dhe më joshi jashtëzakonisht ideja që të studioja Albanologji. Prindërit e mi e pranuan dhe mbështetën që në fillim këtë vendim, çka do të thoshte shumë për mua. Kur vjen fjala te paragjykimet, po, jam përballur me shumë të tilla, dhe të jem e sinqertë vijoj ende të përballem, madje edhe nga kolegë të të njëjtit universitet me mua. Ka nga ata që shprehin thjesht habi, si: “Mund të studiosh shqip në Beograd?!”, por edhe të tjerë që thonë: “Ke gabuar”, apo “Mund të zgjidhje një gjuhë tjetër, pse dreqin shqip?!” Megjithëse në momentin e parë e parë i përjetoj keq, nuk mendoj gjatë për të tilla komente, thjesht i anashkaloj dhe vazhdoj rrugën time. Jam e lumtur me zgjedhjen time.

Çfarë të pëlqen më shumë nga shqipja, dhe çfarë t’i cingëris më shumë nervat nga kjo gjuhë?

Para se të nisja studimet nuk dija asnjë fjalë në shqip. Më është dukur një gjuhë disi e çuditshme por më pëlqen shumë mënyra se si tingëllon në të folur. Nuk është se kam ankesa lidhur me gjuhën shqipe, më duhet të pranoj se është e vështirë, por në të njëjtën kohë sfiduese, dhe kjo është një arsye më vete përse më tërheq si gjuhë.

Sa studentë ndjekin kursin e Albanologjisë?

A janë të rinjtë më të interesuar për të studiuar në shqip, apo departamenti vijon të jetë i panjohur, apo thënë ndryshe një qoshk për “studentët  e krisur” ? Aktualisht ka rreth 14-15 studentë të brezit tim. Interesi për gjuhën shqipe po rritet nga viti në vit, dhe natyrisht që do të vijë një kohë kur ata nuk do të quhen më “të krisur”. Ne jemi të bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur, gjykimi apo stigma e opinionit publik nuk na zmbraps. Profesorët tanë janë shumë të sjellshëm dhe kanë qëndrime mjaft dashamirëse dhe inkurajuese për studentët që janë të interesuar të studiojnë shqipen.

A je ndikuar nga fakti që studion Albanologji, për të mësuar më shumë mbi historinë dhe kulturën shqiptare në tërësi?

Pa dyshim. Në Albanologji kemi disa lëndë të cilat na mësojnë shumë mbi kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Jam shumë kureshtare për të mësuar mbi Shqipërinë, për të lexuar sa më shumë libra nga autorë shqiptarë.

Të ndalemi pak në këtë pikë. A ke njohuri mbi letërsinë, kinemanë, apo muzikën shqiptare. A ka ndonjë shkrimtar shqiptar që është i dashur për ty?

Po. Kam një interes gjithnjë e në rritje në një kohë që këtë vit po studiojmë lëndën e “Letërsisë së vjetër shqipe”. Kam lexuar librin e Ismail Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”. Ai ka shumë ngjashmëri me Ivo Andriçin dhe prania e historive dhe narrativave ballkanase brenda veprave të tij nuk e bën një shkrimtar të “huaj” për mua. Për fat të keq mungojnë përkthimet e autorëve shqiptarë në serbisht por shpresoj se nuk do të jetë e largët dita që do të mund ta lexoj Kadarenë lehtësisht, jo vetëm në serbisht, por edhe në shqip. Sa i takon kinematografisë nuk kam shumë informacion, ndërsa në muzikë më pëlqen Elina Duni. Unë jam shumë e dhënë pas jazz-it dhe Elina është një këngëtare vërtet fine, e cila bën një muzikë tejet origjinale me motive të muzikës folk.

A mendon se gjuha në veçanti dhe kultura në tërësi mund të shërbejnë si ura për të ndërlidhur bashkë shqiptarët dhe serbit, me qëllim që të shemben pak nga pak muret e nacionalizmit që ndajnë popujt tanë?

Po. Kemi kaq gjëra të përbashkëta në kulturë, por njerëzit nuk janë në dijeni të kësaj gjëje. Në opinionin tim, studentët që studiojnë shqip mund të jenë “ambasadorë” të rinj të thyerjes së mureve mes nesh, sepse mendoj se mund të mësojmë një pafundësi gjërash të mrekullueshme nga njëri-tjetri. Shumë nga kolegët e mi kanë ndryshuar parafytyrimin që kishin për Shqipërinë pikërisht pasi nisën të studiojnë shqipen. Tashmë kemi më shumë miq nga Shqipëria, me të cilët kemi shumë të përbashkëta, të cilat burojnë jo vetëm nga fakti që jemi ballkanas por mbi të gjitha sepse jemi njerëz, jemi pjesëtarë të racës njerëzore. Mendoj se Ballkani duhet ta lërë pas një herë e mire nacionalizmin, i cili ushqehet gjithmonë nga politika dhe mediat. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm nga Shqipëria, dhe kombi nuk është një kategori për gjykimin e njerëzve sipas meje. Dua të përfshihem në nisma apo lëvizje që kanë për qëllim thyerjen e barrierave mes dy vendeve tona.

Ku e sheh veten në vitet në vijim. Ndoshta një përkthyese, apo mësuese për nxënësit serbë apo shqiptarë?

Asnjëherë s’mund ta dimë me siguri se çfarë e ardhmja do të na sjellë. Por padyshim do t’i dashuroja të dyja këto profesione. Jam shumë e dhënë pas përkthimit, sikundër më pëlqen po aq fort edhe mësimdhënia, e cila ndikon fuqishëm në formësimin brezit të ri dhe mandej gjithë shoqërisë. Departamenti Njëzet vjet më vonë pas hapjes së katedrës, në kuadër të lëndës: “Gramatika krahasuese e gjuhëve indo-europiane” u prezantua për herë të parë lënda: “Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe”, e cila mund të konsiderohet si fillesa e krijimit të Departamentit të Albanologjisë në këtë universitet. Shumë shpejt doli revista “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologijiu” (Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnologjinë) (1923-1926), e para e këtij lloji në botë, pronar i së cilës u bë profesori i universitetit, etnologu i famshëm Tihomir R. Gjorgjeviç. Shkencëtari i parë i cili seriozisht filloi ta studiojë gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariçi, katolik i Raguzës, i cili studioi në Gracë dhe në Vjenë. Para Luftës së Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Kosovës studiuan në Beograd.

Sot, departamenti ka një histori të gjatë dhe po bëhet gjithnjë e më i njohur për studentët serbë, duke numëruar mesatarisht 15 studentë për çdo vit akademik. Historiku Katedra për Albanologji në Universitetin e Beogradit është një nga katedrat më të vjetra. Kjo është themeluar në vitin 1925. Idenë për mësimin e gjuhës shqipe, i pari e ka dhënë shkencëtari i famshëm Jovan Cvijiç në vitin 1907, por ideja është realizuar në vitin 1920-‘21. 400 studentë Sipas faqes zyrtare të Fakultetit të Filologjisë të universitetit të Beogradit gjuha shqipe është studiuar për 90 vite dhe mbahet si nga më të vjetrat, ku deri më tani numërohen 400 veta që kanë studiuar degën e Albanologjisë. Më pas kishin dhe studentë nga Kosova që morën doktoraturën e më pas u bënë akademikë. Çdo vit në këtë fakultet regjistrohen rreth 15 studentë.

Tekstet shkollore Blerja e librave të reja dhe revistave të shtypura në gjuhën shqipe në Kosovë ishte e rregullt deri në fund të 80-vitet të shekullit XX. Gjatë vizitës së tij në Beograd në vitin 2007, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë,  Ilir Meta i dhuroi bibliotekës së Departamentit të Shqipes rreth 50 libra të rinj për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Bashkëpunimi me Shqipërinë Duke filluar që nga viti 2007, Fakulteti i Filologjisë ka vendosur bashkëpunimin me Shqipërinë, ku  erdhën  dy profesorë të ftuar për të dhënë mësim: Stefan Çapaliku dhe Primo Shllaku. Në maj të vitit 2010, leksione mbi këtë qëllim janë mbajtur nga profesorët nga Universiteti “Luigi Gurakuqi” në Shkodër si Tef Topalli dhe Alfred Çapaliku, për vitin shkollor 2010-2011, në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim midis Serbisë dhe Shqipërisë, për këtë qëllim janë punësuar profesorë nga Universiteti i Tiranës Dr.Avni Xhelili dhe Dr. Adem Jakllari mësues të gjuhës së huaj, për gjuhën shqipe që nga viti 2009./Shekulli

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme