Dikur, por ndoshta edhe sot, ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, krenohet me të vetmen fotografi që mund ta gjesh në internet – Adem Jashari dhe Hashim Thaçi bashkë në një foto. Por Adem Jashari nuk e di se personi që ia kishte hedhë dorën mbi krah, tash e disa vjet nuk e viziton kullën e familjes së tij.
Vizitat te Jasharët shpeshtohen, sidomos në data historike, siç është Dita e Flamurit e Shqipërisë; Epopeja e UÇK-së; Pavarësia e Kosovës.
Thaçi nuk harron të bëjë nderime te varrezat e martirëve të kësaj familjeje. Por jo edhe te kulla ku ata u lindën dhe u rritën.
Ende nuk dihet publikisht pse kaq shumë u ftohen marrëdhëniet mes ish-liderit të UÇK-së dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Një gjë dihet publikisht se në kullën e tyre asnjëherë nuk u prit Hashim Thaçi.
Në mars të vitit 2013, në kohën e Epopesë së UÇK-së, asokohe kryeministri Hashim Thaçi kishte bërë nderime te varrezat e kompleksit memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Ai shoqërohej me tashmë ish-presidenten, Atifete Jahjaga.
Mbajtën fjalim para medieve, por assesi të shkojnë te kulla, në odën ku familjarët presin e përcjellin shumë vizitorë e personalitete të ndryshme.
“Çdo rënie është e dhimbshme por kjo rënie ka qenë ajo e cila ka bashkuar popullin e Kosovës ajo që e ka ngritur në këmbë të gjithë shqiptarët kudo që jetonin që i ka bashkuar rreth idealit për çlirimin e Kosovës dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe sovrane”, kishte thënë Thaçi.
Erdhi Dita e Flamurit të Shqipërisë – ish-kryeministri Thaçi merr rrugën për në Prekazin heroik, për t’i nderuar të rënët. ’28 Nëntori’ – përveç simbolikës për Ditën e Flamurit të Shqipërisë, ajo lidhet edhe me ditëlindjen e Adem Jasharit.
Por prapë nuk shkon në kullë më 29 nëntor 2013. Ai sërish ishte me presidenten Atifete Jahjaga.
Më 17 shkurt 2016 – në ditën e Pavarësisë së Kosovës, sërish viziton kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’. Kësaj here në një pozicion tjetër – atë të zv/kryeministrit të Kosovës. Ai ishte në shoqëri me kryeministrin Isa Mustafa.
Natyrisht, fjalime të zakonshme, por jo edhe në kullë.
Sërish vjen marsi, por Hashim Thaçi nuk shkon në kullë për vizitë. Kësaj here ishte ndërruar sërish pozicion – ishte bërë presidenti i Republikës së Kosovës.
Më 5 mars 2016, presidenti Hashim Thaçi nderon martirët. Kulla e tyre ishte përball varrezave – ka pamje të qartë. Prapë jo.
Raportet e ftohta mes Thaçit dhe familjes Jashari u dëshmuan edhe më vonë – me rastin e zgjedhjes së tij president,
Kishte qenë praktikë që familja e heroit Adem Jashari zakonisht të merrte pjesë në seancë, por në ditën kur ai po e priste ditën më të mirë – edhe pse me gaz lotsjellës në sallë e protesta jashtë Kuvendit – askush nga familja Jashari nuk ishte aty.
Sot ka nisur Epopeja e UÇK-së e cila do të zgjasë tri ditë. As kësaj radhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e vizitoi kullën e Jasharëve./Insajderi.com