Gazetar: Miki Trajkovski
Me çmime më të larta se në sezonet e kaluara si për prenotimet e hoteleve ashtu edhe për shërbimet gastronomike, por edhe me autostradën ende të pandërtuar, Ohri dhe Struga pritën mysafirët e parë nga Holanda. Deri në fund të shtatorit pritet numër prej rreth 20.000 turistëve nga ky shtet dhe 92 avionë çarter nga Amsterdami në Ohër. Pritjet janë që ky sezon të jetë ndër më të mirët deri tani.
“Do të aterojnë deri në aeroportin e Ohrit, por çfarë më pas. Për të shkuar në Ohër, duhet të kalojnë disa probleme nëpër këtë autostradë, e cila është në ndërtim e sipër që kur e mbaj mend. Ose deri në Shkup, ajo linjë duhet të jetë e shpejtë dhe efikase. Rruga për në “Shën Naum” po rindërtohet, por nuk ka përfunduar. Autobusët dhe turistët individualë do të vuajnë nëpër ato gropa. Si rezyme del se nuk jemi gati”, deklaroi Zoran Tuntev – profesor në Fakultetin e Turizmit.
Sektori i turizmit kërkon që Qeveria e re të mendojë për themelimin e një ministrie për turizëm.
“Duhet të ketë ministër të turizmit që do ta zgjidhë këtë problem në janar e jo në maj. Duhet të fillojmë në mars dhe nuk duhet të ndalemi. Duhet të marrim vendim përfundimtar njëherë e mirë për të ditur se nuk ka sezon për vendet turistike gjegjësisht duhet të bëjmë sezon 12 muaj në vit. Në vend që Qeveria apo komuna të na japin nxitje për të punuar, ata vetëm na frenojnë”, tha Lupço Patçev – pronar i objektit gastronomik.
“Unë kam qenë gjithmonë për, por duhet të jetë jashtë të gjitha ndikimeve politike dhe para-politike. Kjo do t’i rregullojë gjërat ngadalë. Ligjet do të jenë të koordinuara me terrenin, do të kombinojmë teorinë dhe praktikën. Që ky vend të funksionojë nga pikëpamja e turizmit dhe të gjithë faktorët të mblidhen nën të njëjtën ombrellë sepse kanë interes të përbashkët, është e nevojshme të themelohet ministri e tillë”, theksoi Zoran Tuntev- profesor në Fakultetin e turizmit.
Nga vendet fqinje ministri të turizmit në Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi. /Alsat.mk