Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja britanike Theresa May ranë sot dakort se Rusia dhe Siria janë përgjegjëse për vuajtjet tragjike njerëzore në enklavën e kontrolluar nga rebelët në pjesën lindore të qytetit Ghouta, në afërsi të kryeqytetit Damask.
Sipas zyrës së kryeministres May, dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike për situatën e tmerrshme humanitare pranë kryeqytetit sirian, ndërkohë që Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi se forcat siriane kanë marrë kontrollin e një të katërtës së Ghoutas lindore.
“Ranë dakort se është një katastrofë humanitare, dhe se përgjegjësia madhore për vuajtjet njerëzore i takon regjimit sirian dhe Rusisë, e cila është mbështetësja kryesore e këtij regjimi”, thuhet në një deklaratë të zyrës së zonjës May. Nuk pati një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë menjëherë pas telefonatës.
Sipas zyrës së zonjës May, së bashku me Presidentin Trump, u ra dakort “që Rusia dhe aktorët e tjerë me influencë mbi regjimin sirian duhet të veprojnë menjëherë për të ndaluar fushatën e dhunës dhe për të mbrojtur civilët”.
Duke reaguar ndaj këtyre kritikave, Presidenti sirian, Bashar al-Assad u zotua sot se ofensiva ushtarake kundër rebelëve në Ghoutan lindore do të vazhdojë. Komentet e tij u transmetuan nëpërmjet televizionit shtetëror sirian. /VOA.