Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark ka qëndruar për vizitë në këtë pjesë.
Gjatë vizitës Wigemark është takuar me përfaqësuesit politikë, shoqërinë civile dhe njësinë policore të EULEX-it.
Shefi i EULEX-it ka thënë se situata në pjesën veriore është e brishtë dhe se qytetarët ndihen në frikësuar.
“Pas takimeve që kam pasur në Mitrovicën e Veriut me liderët politikë, shoqërinë civile dhe njësinë e formuar policore të EULEX-it, është e qartë se gjendja e sigurisë është shumë e brishtë dhe se qytetarët janë të frikësuar. EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të gjithë duhet të tregojnë përmbajtje maksimale”, ka shkruar Wigemark në një postim në Twitter.
Kujtojmë se pak ditë më parë EULEX është përforcuar me trupa të reja policore.
Përmes një njoftimi për media EULEX, ka bërë të ditur se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të EULEX-it.