Shefi i EULEX-it Wigemark: Korrupsioni fenomen shqetësues në Kosovë, luftimi i ngadalshëm

Shefi i ri i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, në një intervistë ekskluzive për Koha.net, ka thënë se në Kosovë ka ndërhyrje politike në gjyqësor. Në këtë intervistë, ai ka folur për praninë e madhe të korrupsionit, për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, dhe për potencialin e të rinjve, të cilët i ka quajtur “truri i Kosovës”.

Ka treguar se detyra kryesore e tij si shef i ri i EULEX-it është që misioni të vazhdojë të jetë i aftë për t’i shërbyer qëllimit, të jetë partner i besueshëm, i drejtë dhe i sinqertë për partnerët nga sektori i sundimit të ligjit të Kosovës.

“Kjo është në veçanti e rëndësishme tani me Qeverinë e re, qëllimi i theksuar i së cilës është pasja e një sistemi të pavarur, të paanshëm dhe profesional të drejtësisë në Kosovë dhe kthimi i besimit në të”, ka thënë Wigemark.

Shefi i EULEX-it ka premtuar mbështetje për të gjitha institucionet e Kosovës në mënyrë që ato të marrin pronësinë e plotë të procesit të domosdoshëm të reformave dhe rrugëtimit evropian.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke e pasur parasysh metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian për zgjerimin, e cila është miratuar javën e kaluar dhe e cila ka për qëllim që procesin e hyrjes në BE ta bëjë më kredibil, me drejtim politik më të fuqishëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm. Siç mund ta dini, tanimë, Komisioni ka theksuar se si të ashtuquajturat parimet themelore, në veçanti sundimi i ligjit, duhet të bëhen edhe më kryesore në procesin e hyrjes në BE”, është shprehur Wigemark.

Ka sqaruar se vendet anëtare të BE-së i kanë caktuar që nëpërmjet misionit i BE-së për sundimin e ligjit t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit gjatë rrugës së saj për në BE.

Ambasadori suedez Wigemark e mori detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, më 23 janar 2020, me një mandat që zgjat deri më 14 qershor 2020. Ai e pason ambasadoren Alexandra Papadopoulou, e cila e përfundoi detyrën e saj si shefe e EULEX-it në korrik të vitit të kaluar. Ka bërë karrierë të gjatë diplomatike. Ka shërbyer në shumë vende të botës, përfshirë edhe në vendet e rajonit, si në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Korrupsioni fenomen shqetësues, luftimi i ngadalshëm

Shefi i EULEX-it, i pyetur nga koha.net për luftën kundër korrupsionit, në këtë kontekst edhe për raportin e Transparency International, i cili Kosovën e renditi të 101-n, ka thënë se korrupsioni është fenomen shqetësues.

“Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe çështje shqetësuese. Lufta kundër korrupsionit është ngadalësuar, në veçanti sa u përket hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të profilit të lartë”, ka theksuar Wigemark.

Ndonëse, sipas tij, vërehet përmirësim në fushën e drejtësisë penale, megjithatë disa raste kanë përfunduar me shfajësime për të gjithë.

“Ndikimi i jashtëm në procedurat penale vazhdon të jetë pengesë serioze. Duhet të bëhet më shumë për ta luftuar në mënyrë efektive korrupsionin që përhapet, përmes avancimit të proceseve të reformave në fushën e drejtësisë penale dhe sundimit të ligjit. EULEX-i e bën monitorimin sistematik të rasteve të përzgjedhura të korrupsionit. Ne e vlerësojmë funksionimin e gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërisë procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Wigemark.

Shefi i EULEX-it për koha.net ka folur edhe për sistemin gjyqësor nga koha kur të gjitha kompetencat iu bartën institucioneve të vendit.

“Sa i përket gjyqësorit, në qershor 2018 autoritetet e Kosovës e morën përsipër përgjegjësinë për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve në të gjitha nivelet. Për herë të parë në Kosovën e paskonfliktit, sistemi vendas i drejtësisë nuk përfshin më gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Kjo e dëshmon një nivel të ri të pjekurisë së Kosovës dhe unë këtë e shoh si një arritje të përbashkët të bërë nga EULEX-i dhe sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Kosovës”, është shpreh ai.

Gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ka shtuar Wigemark, tani janë duke u marrë me raste gjithnjë e më komplekse dhe të ndjeshme, të cilat paraqesin edhe sfida.

“Megjithatë, përkundër faktit se është bërë përparim, ndërhyrja e perceptuar politike në gjyqësor, trajtimi i ngadaltë i rasteve të profilit të lartë dhe një tendencë për dënime të buta në rastet e dhunës në baza gjinore po vazhdojnë. Kjo është arsyeja pse EULEX-i është duke e bërë monitorimin e fuqishëm të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë rastet e profilit të lartë dhe rastet e trajtuara më parë nga EULEX-i. Ky monitorim është unik deri në atë masë saqë i lejon këtij misioni të shkojë përtej seancave gjyqësore publike dhe ta shikojë të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale – nga hetimet deri te ndjekja penale, monitorimi i gjykimit dhe ekzekutimi i dënimeve”.

Ai shtoi se përveç vlerësimit të përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë me ligjet e Kosovës dhe standardet e të drejtave të njeriut, EULEX-i gjithashtu do t’u japë rekomandime përkatëse institucioneve të Kosovës për t’i adresuar mangësitë.

“Më lejoni ta theksoj këtu një zhvillim pozitiv të kohëve të fundit kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës ndërmori veprime për t’i adresuar disa nga mangësitë e identifikuara nga EULEX-i në kuadër të mandatit të tij për monitorimin e rasteve, përfshirë nevojën për ta ulur shkallën e lartë të seancave gjyqësore joproduktive, për t’u mbështetur në mënyrë më sistematike ndaj caktimit me short të gjyqtarëve në trupat gjykues dhe për ta shmangur mbështetjen në trupat gjykuese fikse në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që merren me rastet e PSRK-së. E gjithë kjo është e përshtatshme për një qasje të shtuar në drejtësi dhe për një gjyqësor më të pavarur dhe të paanshëm”, ka thën Wigemark, duke shtuar se EULEX-i vazhdon t’i ofrojë mbështetje kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës për zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi të lehtësuar nga BE-ja.

EULEX-i do të vazhdojë ndihmën për Policinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore

Shefi i EULEX-it ka folur edhe për sundimin e ligjit në Kosovë. Sipas tij, një prej institucioneve kosovare të sundimit të ligjit, i cili ka bërë përparim të konsiderueshëm është Policia e Kosovës.

“Ajo ka arritur të bëhet një nga institucionet më të besuara të Kosovës, si dhe njëra nga më të suksesshmet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sigurisht, ende ka vend për përmirësime, por është e rëndësishme që ta vazhdojë këtë progres. Falë qindra ekspertëve të bashkëvendosur, që janë dërguar në EULEX nga shërbimet policore të shumë vendeve të BE-së që kanë monitoruar, mentoruar dhe këshilluar kolegët e tyre kosovarë ne kemi kontribuar në profesionalizimin e Policisë së Kosovës”, ka theksuar Wigemark.

EULEX-i, thekson ai, do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë Policisë së Kosovës në forma të ndryshme.

“Për shembull, ky mision do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës në çështjet e bashkëpunimit policor, duke përfshirë lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve me INTERPOL-in (përmes kanalit të UNMIK) dhe EUROPOL-it, si dhe ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Policisë së Kosovës në përputhje me Protokollin për bashkëpunimin policor midis këtyre dy subjekteve. Pas integrimit të suksesshëm të policisë në veri, një prani e kufizuar policore e EULEX-it do të vazhdojë ta këshillojë Drejtorinë e Regjionit në Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj”, ka sqaruar Wigemark.

Për Njësinë Policore të Specializuar të këtij misioni ka thënë së duhet të vazhdojë t’i ketë kapacitetet e saj si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë dhe të zhvillojë sesione të rregullta trajnuese me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, duke përfshirë edhe përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe të trazirave.

Pasi janë dorëzuar me sukses të gjitha dosjet e lëndëve policore në Policinë e Kosovës, e fundit, por jo nga rëndësia, sipas Wigemark, është se EULEX-i kryen monitorim të lëndëve të policisë, në veçanti të atyre për krimet sipas së drejtës ndërkombëtare, dhunën në baza gjinore dhe krimet e urrejtjes.

“Për më tepër, ata ofrojnë rekomandime për adresimin e këtyre çështjeve në kuadër të një mandati unik të EULEX-it për monitorimin e rasteve, i cili e përcjell tërë zinxhirin e drejtësisë penale”, ka thënë Wigemark.

Sa i përket Shërbimit Korrektues, Shefi i EULEX-it, Wigemark vlerëson se është bërë përparim në administrimin e burgjeve, operacioneve dhe menaxhimin e sigurisë, trajtimin adekuat të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë dhe të profilit të lartë, si dhe shoqërimin e të burgosurve dhe sigurinë në gjykata.

“Proceset e rekrutimit në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë shënuar përmirësim. Por, nevojitet më shumë ndihmë për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të rehabilitimit të të burgosurve dhe për garantimin e qasjes së barabartë për të gjithë të burgosurit në përfitime dhe trajtim mjekësor. EULEX-i do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të zhvilluar praktika moderne të menaxhimit dhe përforcimin e aftësive të tij për ta luftuar ndërhyrjen e padrejtë dhe trajtimin preferencial të të burgosurve”, ka bërë të ditur Wigemark.

Një sektor i sundimit të ligjit, ku EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë ndihmë, është Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët tanë vendas për ta përcaktuar fatin e personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve masive të mundshme dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti i Kosovës. Së fundmi, EULEX-i vazhdon ta menaxhojë programin e vet të mbetur për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ndihmon Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara me mbështetje logjistike dhe operacionale në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës”, ka theksuar Wigemark.

“Kushdo që ka kryer krime lufte në Kosovë duhet të japë llogari”

Shefi i EULEX-it ka folur në detaje edhe për krimet e luftës në Kosovë. Ka thënë se drejtësia duhet të ndahet dhe kushdo që ka kryer krime lufte duhet të japë llogari përmes proceseve të rregullta gjyqësore.

“Në bazë të dhënave statistikore të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, një organizatë e pavarur që e mbështet zbatimin e një drejtësie gjithëpërfshirëse transicionale, ku përfshihet puna e UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjyqësorit vendas për periudhën nga muaji tetor 1999 deri në tetor 2018, nga 39 të pandehurit e dënuar për krime të luftës në Kosovë, 38 u dënuan nga EULEX-i. Gjatë së njëjtës periudhë, nga 48 aktakuza për krime lufte, 22 u ngritën nga EULEX-i (përfshirë dy të paraqitura nga ekipe të përziera me prokurorë të EULEX-it dhe vendas). Siç jeni në dijeni, EULEX-i nuk ka mundur të procedojë me raste për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga persona që ndodheshin në arrati, pasi ligji i Kosovës nuk e lejonte atëherë, as nuk e lejon tani aktakuzën në mungesë. Këto dosje të rasteve së bashku me të gjitha dosjet e rasteve të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës në dhjetor 2018. Siç mund ta dini, ndryshimet legjislative janë në pritje në Kuvendin e Kosovës për t’i lejuar gjykimet e krimeve të luftës në mungesë. Shpresoj që këto ndryshime, nëse miratohen, do t’i marrin parasysh standardet e aplikueshme të të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të rëndësishme zbatimin efektiv të tyre”, ka thënë Wigemark.

Për procesin e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës ka thënë se ka qenë i kufizuar.

“Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë duke punuar në disa raste me përparësi të lartë, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë përparim të rëndësishëm duke i përfshirë të gjitha dosjet e rasteve të transferuara për krime lufte të pranuara nga EULEX-i në një bazë të avancuar të të dhënash, e cila do t’i lehtësojë hetimet në të ardhmen. Kjo bazë e të dhënave u krijua me mbështetjen e EULEX-it. Gjithashtu, në kuadër të PSRK-së është krijuar një departament i specializuar për krimet e luftës. Kohëve të fundit është shënuar një rritje në numrin e aktakuzave të ngritura, si dhe seancat dëgjimore janë mbajtur në disa raste të krimeve të luftës, gjë që është pozitive. Për më tepër, së fundmi është shqiptuar një aktgjykim dënues në një rast të krimeve të luftës. Sidoqoftë, ekziston nevoja për një bashkëpunim më të madh rajonal për hetimet e krimeve të luftës, përfshirë ndërmjet autoriteteve përkatëse në Beograd dhe Prishtinë”, tha Wigemark.

Wigemark: Mizoritë në Reçak nuk mund të mohohen

Për koha.net, shefi i EULEX-it ka folur edhe për masakrën e Reçakut. Ka thënë se mizoritë që ndodhën atje s’mund të mohohen nga askush.

“Qëndrimi i BE-së për Reçakun është i qartë: Ajo që ndodhi në Reçak ishte një masakër. Mizoritë e kryera atje në janar 1999 janë të dokumentuara mirë. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Autoritetet në të gjithë rajonin duhet të punojnë për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë të së kaluarës, në respekt të viktimave. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka deklarua Wigemark.

Në fund të intervistës ai ka folur edhe për të rinjtë në Kosovë. I ka quajtur “truri i Kosovës”. Ka thënë se institucionet duhet të krijojnë më shumë mundësi pune në mënyrë që të shmanget ikja e tyre nga Kosova.

“Gjatë dy javëve të mia të para në Kosovë, unë jam befasuar nga energjia dhe gjallëria e njerëzve tuaj. Ata janë e ardhmja dhe për ta shmangur ikjen e trurit, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë një mjedis që u mundëson të rinjve pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes, që e siguron përfshirjen dhe përfaqësimin e të rinjve në institucione në bazë të meritokracisë, duhet t’i adresojnë nevojat e të rinjve dhe t’u përgjigjen kërkesave të tyre, ta fuqizojnë avokimin për të rinjtë dhe të jenë të hapura për ndryshime. Drejtuesit dhe institucionet në Kosovë duhet ta frymëzojnë vizionin dhe ta krijojnë një perspektivë pozitive për të rinjtë. S’do mend të thuhet se të gjitha fushat e qeverisjes demokratike, përfshirë sundimin e ligjit, mbështeten në përfshirjen e të gjithë pjesëtarëve të një shoqërie, veçanërisht të rinisë”, ka thënë shefi i EULEX-it ,Lars-Gunnar Wigemark.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme