Këshilltari politik, njëherësh shef i kabinetit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Baton Dushi, ushtron edhe aktivitet afarist në këtë institucion.
Ndërmarrja tregtare “Eki”, pronar i së cilës është Dushi e furnizon bufenë e MASHT-it me kafenë e cila importohet nga Italia. Biznesin me kafe brenda Ministrisë ai e bën që disa vite, por nuk e ka ndërprerë edhe pasi është emëruar zyrtar i lartë.
Dushi e ka konfirmuar për gazetën se ndërmarrja e tij ia shet kafenë bufesë së Ministrisë, dhe, sipas tij, ky fakt nuk përbën problem ligjor.
“Kjo nuk është një çështje që ka ardhur si pasojë e punës sime të tanishme, por një kontratë e të paktën një dekadë më herët e cila do të vazhdojë besoj derisa këta partnerë do të jenë të kënaqur me shërbimet”, është shprehur Dushi.
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)