Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, falënderoi Türkiye-n për “rolin e saj kyç” në nënshkrimin e marrëveshjes së fundit të eksportit të drithit, e njohur zyrtarisht si Iniciativa e Drithit e Detit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit (JCC) që mbikëqyr eksportet e drithit ukrainas në Istanbul.
Duke vënë në dukje se çdo anëtar i delegacioneve të përfaqësuar në këtë qendër, ukrainas, rusë, turq dhe të OKB-së, kanë punuar me përkushtim dhe profesionalizëm, ai tha: “Ata mishërojnë atë që mund të arrijmë me vullnet politik, ekspertizë të lartë operacionale dhe përpjekje kolektive”.
“Pjesa tjetër e kësaj pakete është aksesi i papenguar në tregjet globale të ushqimit dhe plehrave ruse, të cilat nuk janë subjekt i sanksioneve”, tha Guterres, duke shtuar se është “e rëndësishme” që të gjitha qeveritë dhe sektori privat të bashkëpunojnë për t’i sjellë ato në tregje.
“Pa plehra në vitin 2022, mund të mos ketë ushqim të mjaftueshëm në vitin 2023”, tha shefi i OKB-së, duke shtuar: “Nxjerrja e më shumë ushqimeve dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia është thelbësore për të qetësuar më tej tregjet e mallrave dhe çmime më të ulëta për konsumatorët”.
Ai nënvizoi se më shumë se 650 mijë tonë metrikë drithë dhe ushqime të tjera janë tashmë në rrugën e tyre drejt tregjeve në mbarë botën.
Jemi në fillimin e një procesi shumë më të gjatë, tha Guterres për marrëveshjen e muajit të kaluar, por shtoi se potenciali i kësaj “marrëveshjeje kyçe” tashmë është treguar.
Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje muajin e kaluar për të rifilluar eksportet e drithit nga portet ukrainase të Detit të Zi, Yuzhny, Chornomorsk dhe Odesa, të cilat u ndaluan për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, tashmë në muajin e gjashtë.
Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja është krijuar në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.