Publikimi i dosjeve të UNMIK-ut, e cila jep detaje për vrasjen e Ekrem Rexhes-Drinit, Xhemail Mustafës dhe plagosjen e Fetah Rudit, ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik në Kosovë.
Sipas kësaj dosje, organizatori dhe autorët e vrasjes së Drinit dhe Mustafës, si dhe plagosjes së Rudit janë të njëjtë.
E lidhur me publikimin e këtyre dosjeve, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt.
“Publikimi i dosjeve të UMIK-ut që filloj pas shumë e shumë viteve, shpërfaqi edhe njëherë papërgjegjësinë e drejtësisë ndërkombëtare të instaluar në Kosovë përmes UNMIK-ut. Kur i lexon sot tmerrohesh nga ato akte kriminal të cilat morën jetët e figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake të LDK-së dhe institucioneve që drejtonte LDK”, thotë Tahiraj, duke hedhur akuza në drejtim të UNMIK-ut, mision ky që sipas tij, heshti për vrasjet politike.
“Ti kesh të gjitha këto informacione dhe dëshmi, kriminelë me emër dhe mbiemër që ekzekutuan në mënyrën më mizore! Ta dish edhe emrin dhe mbiemrin e shefit të tyre. Ta kesh informacionin dhe dëshmitë se me të njëjtat armë është kryer ekzekutimi i tyre në të tri rastet dhe ti fshehësh gjerë më tani, mendoj se është një krim i dytë mbi viktimat nga UNMIK-u! Si do të arsyetohet bashkësia ndërkombëtare për këtë heshtje dhe fshehje të krimit? Ajo ka gojën plotë akuza dhe kritika për drejtësinë vendore, ndërsa vetë paska qenë e zhytur edhe më thellë! Nga vendet e tyre prej nga vijnë ata gjykatës dhe prokurorë çfarë do të thotë fshehja e krimit? A do ishin amnistuar apo dënuar nëse kishin vepruar njëjtë si në Kosovë? A i kishte këto dosje edhe EULEX? Nëse po pse i heshti dhe i fshehu ato?”, thekson Tahiraj për “Bota sot”.
Më tej, Tahiraj shpreson që Gjykata Speciale nuk do t’i përsërit gabimet e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
“Pse bëhen publike tani pasi të gjithë dëshmitarët e të tri rasteve u vranë për të humbur gjurmët e krimit? Athua kjo vonesë mos do të thotë se ishte e qëllimshme derisa të zhduken gjurmët e krimit? Mos do të thotë kjo se edhe drejtësia ndërkombëtare ishte e korruptuar dhe e lidhur me krimin në Kosovë? Duke u nisur nga të gjitha këto, si mundë të besojmë në drejtësinë ndërkombëtare se do i zbuloj të gjitha ato vrasje politike? Mos vallë edhe Gjykata Speciale do vazhdoj rrugën e UNMIK-ut dhe EULEX-it? I tërë ky besim dhe shpresë që kanë familjarët e viktimave dhe pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë, në Gjykatën Speciale, mos do jetë prapë zhgënjyese si me parë? Kurë të dy të parat dështuan pse te kemi besim se kjo e treta nuk do të dështoj?”.
Tahiraj për “Bota sot”, thotë se njeriu i përmendur në dosjen e UNMIK-ut, ishte anëtar i Shtabit Qendror të UÇK-së dhe Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Përkohshme.
“Kur e lexon dosjen dhe e kupton se shefi kryesor i asaj bande ishte anëtarë i Shtabit Qendrorë të UÇK-së, Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Përkohshme, anëtarë dhe funksionarë i disa partive. Për disa vite funksionar i lartë i VV-së dhe shef i grupit parlamentarë të sajë, lind pyetja se çfarë shoqërie kemi ndërtuar deri me tani? Madje ky person është dekoruar nga Hashim Thaçi dhe kryetari i VV-së i dërgoj letër Gjykatës Speciale duke garantuar dhe vlerësuar lartë personalitetin e tij. Që nga publikimi i kësaj dosje nuk kemi asnjë reagim apo distancim të Kurtit nga ato veprime kriminale, madje as ata guximtaret e mëdhenj GUXO! Si do i besohet këtij personi që pritet të drejtoj Qeverinë dhe me premtimin se do e çkapë shtetin? Kur ky e fsheh krimin me vite dhe nuk distancohet tani kurë dosjet bëhen publike, si mundë ti besohet se nuk do i përsërit prapë?”, nënvizon Tahiraj.
Ai thotë se ish deputeti i LDK-së, Fetah Rudi shumë herë e kishte ngritur zërin për gjerat e njëjta, por drejtësia ndërkombëtare ka heshtur në vazhdimësi.
“Ky është nga i njëjti brum andaj mundë të pritet ç’do gjë nga ai. Shumë herë në intervistat dhënë gazetave dhe televizioneve të ndryshme, Heroi i gjallë Fetah Rudi i tha të gjitha këto që janë në dosje të publikuara, por askush nuk e dëgjoj! Drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore mbylli sytë dhe veshët dhe i heshti të gjitha këto krime makabre. Pse nuk është ftuar Fetah Rudi nga Gjykata Speciale që të dëshmojë për rastin tragjik që e la përgjithmonë në karrocë! A i ka këto dosje Gjykata Speciale dhe nëse po pse i lejon të bëhen publike derisa të përfundon gjykimi dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar! Publikimi i këtyre dosjeve mos është i qëllimshëm për të kërcënuar dëshmitarët tjerë, se nëse guxoni të dëshmoni do ju presë fati i njëjtë”, thekson Tahiraj.
Për fund, ai thotë se Gjykata Speciale është shpresa e fundit për zbardhjen e vrasjeve politike.
“Deri më sot kanë dështuar të gjithë, drejtësia ndërkombëtare dhe vendore, gjithashtu edhe ne si shoqëri. E vetmja shpresë ka mbetur te Gjykata Speciale, familjarë dhe populli i Kosovës i ka drejtuar sytë e shpresës kah ajo, uroj që mos ti zhgënjejë si UNMIK dhe EULEX. Liria nuk është e plotë pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.