Dita e Evropës-9 Maji, sot do të shënohet me aktivitete edukative dhe kulturore në mbarë Kosovën dhe me ndarjen e çmimit “Evropiani i Vitit”.
Qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë në koncerte, në artin e rrugës dhe në garën në basketboll (streetball), përgatitjen e librave nga të rinjtë, shfaqjen e dokumentareve dhe programet interaktive në komuna të ndryshme.
Si pjesë e festimeve të Ditës së Evropës, BE-ja në Kosovë do të japë për herë të dytë çmimin e vet “Evropiani i Vitit”, për të vlerësuar një individ/institucion për promovimin e idesë evropiane në Kosovë.
Të nominuarit për çmimin e vitit 2017 janë: Erzen Shkololli, artist dhe kurator, Baleti i Kosovës dhe Grupi për Studime Ligjore dhe Politike.
Çmimi do të prezantohet nga Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe nga Majlinda Kelmendi, kampionia Olimpike, Botërore dhe Evropiane e xhudos dhe fituesja e parë e çmimit “Evropiani i Vitit”.
Aktivitetet qendrore do të fillojnë në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.