Sheshi i Ferizajt kërkohet të quhet Tony Blair, dorëzohen nënshkrimet në komunë

Kuvendit Komunal të Ferizajt iu është dorëzuar kërkesa dhe peticioni i nënshkruar prej 3.346 qytetarëve me të cilin kërkohet që sheshi të ketë emrin Tony Blair, si dhe të vendoset shtatorja e tij.

Bashkim Fazliu nga Këshilli për emërtimin e sheshit dhe vendosjen e shtatores “Tony Blair” në Ferizaj, ka shkruar në Facebook, se beson që Kuvendi i Ferizajt, respektivisht asamblistët e Ferizajt, do ta përkrahin me votë këtë iniciativë dhe Ferizaj do të bëhet me sheshin Tony Blair dhe së shpejti edhe me shtatoren e tij.

“As që dua të besoj se mund të ketë shqiptar që nuk do ta votonin këtë propozim, aq më pak që ka marrë menjëherë përkrahje gjithëpopullore. Edhe njëherë dua t’i falënderoj gjithë qytetarët për përkrahjen e dhënë dhe një falënderim i veçantë shkon edhe për vullnetarët e palodhshëm që bënë të mundur grumbullimin në afat rekord brenda javës me 3346 nënshkrimeve. Ashtu siç e kemi thënë qindra herë, ne duhet t’i ruajmë e t’i respektojmë miqtë tanë të cilët na janë gjetur pranë dhe na kanë ndihmuar atëherë kur ne kemi pas nevojë më së shumti”, ka shkruar ai. /KP/