Shezlonet në vijën bregdetare vetëm për hotelet, rregullorja si do ndahen plazhet në vend! Kushtet që subjektet duhet të plotësojnë për të përfituar

Ashtu siç u paralajmërua në vijën bregdetare do të kenë prioritet për stacione plazhi vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet si ato të vijës së parë edhe ato që kanë afërsi me të.


Shezlone

Një rregullore e publikuar tashmë në QBZ saktëson mënyrën sesi do të procedohet për sezonin e ardhshëm ku subjektet duhet të përmbushin një sërë kushtesh për të përfituar hapësirë të shfrytëzueshme si stacion plazhi.

Kryesori duket se lidhet me faktin që të jenë struktura akomoduese të regjistruara dhe kategorizuara. Aplikimet do të bëhen në e-albania dhe gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me njësitë vendore të cilat do të kenë edhe hartat specifike të hapësirave të disponueshme.

Konkretisht në pikën 7 të rregullores nënvizohet se në stacionin e plazhit ushtrojnë veprimtarinë subjektet që plotësojnë kriteret e kësaj rregullloreje dhe që lidhin një kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit, në varësi të kapacitetit të strukturës akomoduese, si dhe, rast pas rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.

Në rastin e kërkesave të projekteve me potencial strategjik, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, apo kërkesave të investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, kontrata për përdorimin e hapësirës së plazhit lidhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse.

“Kur veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga subjekt privat, subjekti përmbush kriteret, si më poshtë: a) Të jetë i regjistruar si person fizik/tregtar apo juridik për ushtrimin e veprimtarisë, si strukturë akomoduese; b) Të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, me hapësirë plazhi para/në afërsi të strukturës akomoduese; c) Të ketë shlyer të gjitha detyrimet tatimore qendrore dhe detyrimet vendore; ç) Të ketë një plan operimi për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, duke përfshirë kushtet minimale dhe kërkesat e sigurisë për stacionin e plazhit” thuhet në pikën 3 të nenit 7 të rregullores.

Në rastet kur njësitë vendore kanë kontrata me subjektet që shkojnë deri në vitin 2025, ato kontrata vijojnë edhe këtë sezon, edhe nëse nuk janë struktura akomoduese por vetëm aktivitet stacion plazhi.

Në raportin e ndarjes së plazhit publik dhe privat rregullorja përcakton distanca të qarta nga vija e detit, mes çadrave si dhe raportin në 1000 m2 ku të paktën 30 për qind janë publik. Plazhet ku ndërkohë nuk ka struktura akomoduese në masë siç janë Divjaka dhe Fieri sipas rregullores do të kalojnë me stacione plazhi për bar-restorantet duke vendosur kushte për këta të fundit.

Po kështu lidhur me ndarjen e kategorive të plazheve rregullorja përcakton katër tipologji.

“Plazhet, në bazë të vijës së bregut të detit ose të liqenit dhe të karakteristikave të tjera natyrore, ndahen në plazhe të tipit A, B, AB e C:a) plazh i tipit A është plazhi kryesisht me përbërje ranore dhe me gjerësi të konsiderueshme të brezit të plazhit, i cila nuk është më i vogël se 60 (gjashtëdhjetë) m vijë perpendikulare me vijën e bregut të detit ose të liqenit; b) plazh i tipit B është plazhi kryesisht me përbërje shkëmbore dhe zhavorri dhe me gjerësi të brezit të plazhit, i cila nuk është më i madh se 60 (gjashtëdhjetë) m vijë perpendikulare me vijën e bregut të detit ose liqenit; c) plazh i tipit AB është plazhi i ndërthurur, i cili përmban karakteristika si të tipave A e B; ç) plazh i tipit C është plazhi i virgjër, për përdorim të lirë, në të cilin nuk lejohet asnjë veprimtari për stacion plazhi, përveç mirëmbajtjes dhe pastrimit nga njësia e vetëqeverisjes vendore që e ka në administrim” thuhet në rregullore. Për secilin prej tipologjive kushtet që duhet të ofrohen nga subjekti privat sa i takon higjienës, shërbimeve të integruara apo sigurisë janë të ndryshme./Monitor

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme