Gjykata e Durrësit ka dënuar me 10 vite burg Xhemal Lokën, i akuzuar se i shkaktoi vetëvrasjen bashkëshortes së tij, Bedrie Loka.
Xhemal Loka kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por është refuzuar nga togat e zeza. Nga hetimet ka rezultuar se i dënuari ka ushtruar dhunë barbare ndaj bashkëshortes së tij, duke e çuar drejt aktit ekstrem.
Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Njoftimi i Gjykatës:
Lidhur me kërkesën tuaj të datës 05.02.2025 për informacion lidhur me ngjarjen (shkaktim i vetëvrasjes së të ndjerës B.L), në kuadër të interesit publik, kërkoni informacion mbi çështjen në shqyrtim pranë kësaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nga verifikimet e kryera në Sistemin ICMIS rezulton se:
Pranë kësaj Gjykate është regjistruar çështja penale Nr. 835 Akti, me objekt: “Akuzuar per veprat penale”Shkaktim i vetevrasjes”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve,armeve shperthyese dhe i municionit”dhe “Mbajtja pa leje dhe proidhimi i armeve ,armeve shperthyese dhe i municionit”,parashikuar nga nenet 99,278/4 dhe 278/3 te K.Penal ne ngarkim te pandehurit Xh. L.”
Gjyqtari i çështjes- Sh.Liçaj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,